Pal Lekaj: AAK-ja do ta kundërshtoj shtyrjen e zgjedhjeve me çdo mjet demokratik

Pal Lekaj: AAK-ja do ta kundërshtoj shtyrjen e zgjedhjeve me çdo mjet demokratik

Të hënën (nesër), Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në një takim konsultativ gjitha subjektet politike, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në këtë takim pritet të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Disa nga partitë tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndonëse disa prej tyre nuk pajtohen me idenë për shtyrjen e zgjedhjeve.

LEXO EDHE: Të hënën mbahet takimi i Osmanit, por a janë pro partitë që të shtyhen zgjedhjet lokale?

Subjekti i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë theksuar se nuk kanë qëndrim zyrtar nëse do të jenë pjesë e takimit konsultativ të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se të hënën do të vendosin se a do të shkojnë në takim apo jo.

“Nuk kemi vendosur ende. Jemi duke e diskutuar në strukturat e Aleancës dhe të hënën paradite do të vendosim nëse do të shkojmë apo jo”, ka thënë ai.

Ndërkohë i pyetur nëse e përkrahin shtyrjen e zgjedhjeve, Lekaj ka potencuar se AAK-ja me çfarëdo mjeti do ta kundërshtojnë shtyrjen e zgjedhjeve.

“AAK do të përdor çdo mjet demokratik që ta kundërshtoj shtyrjen e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se takimi fillon nesër nga ora 17:00./Gazeta “Enigma”.

Related Articles