Dora e lënduar e një fëmije është vendosur nga mjekët nën lëkurën e barkut të tij dhe do të qëndrojë aty për 3-4 javë, për shkak të mungesës së indit lëkuror. Me këtë procedurë, mjekët synojnë t’i shpëtojnë gishtërinjtë e lënduar nga mjetet piroteknike.
Përveç tij, edhe 2 fëmijë të tjerë, të tre nën moshën 10-vjeçare, po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve të ngjashme.
“Ne këtu i kemi të pranuar 3 fëmijë. Njëri ka qenë para datës 31 edhe 2 fëmijë janë të pranuar më 31 dhjetor, të lënduar nga mjetet piroteknike. Janë të lënduar në gishtërinjtë e shuplakës së duarve dhe kanë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm ende në Klinikën tonë”- tha Agim Berisha, kirurg në këtë Klinikë.
Kirurgu tregoi se invaliditeti është madhor dhe i përjetshëm, ku përveç lëndimeve, ata kanë pësuar edhe djegie e amputim (këputje) të gishtërinjve.
“Mbesin me shenja, me vraga, me mungesë të falangave. Amputime të gishtërinjve që janë raste shumë të rënda. Plus kur llogaritet mosha e fëmijëve, invaliditeti është shumë i rëndë për familjen, për pacientin. Është e vështirë edhe për mjekët me u trajtu”- tha Berisha.
Në natën e ndërrimit të motmoteve në QKUK kanë kërkuar ndihmë mbi 20 pacientë, për dëmtime të shkaktuara nga mjetet piroteknike. .
Berisha tha se edhe pse kohëve të fundit është zvogëluar numri i këtyre pacientëve ai vazhdon të jetë i lartë.
Komuna e Prishtinës kishte ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në vende të hapura publike ndërmjet datave 25 dhjetor 2022 – 3 janar 2023.