Gjykata Speciale e Hagës po del të jetë problem për Kosovën, pasi ish-krerët e UÇK-së nga nëntori i vitit 2020 po mbahen në paraburgim në Hagë, shkruan Gazeta Enigma
Si rrjedhojë e kësaj, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca pat kërkuar që kësaj gjykate i duhet një mekanizim për kontrollim qoftë vendor, apo edhe ndërkombëtar.
“Problemi është ky, që edhe mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me të thënë të drejtën është absolutiste. Kjo gjykatë, për të qenë e ndershme, për të qenë në përputhje me drejtësinë, e jo e politikës, ka nevojë për një mekanizëm kontrolli. Ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet në horizont. Por, bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi, por në anën tjetër Kuvendi është themelues”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se të gjithë e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë.
“Elementi kryesor është fakti që kjo gjykatë është themeluar në pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës, pra kështu quhet ajo gjykatë dhe ky është një defekt të cilin e kemi kritikuar vazhdimisht. Ne e dimë se çfarë ka ndodhë në Kosovë. Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi i Serbisë mbi popullin e Kosovës, ndaj popullatës së pa armatosur. Mbi 11 mijë qytetarë të Kosovës janë vra në Kosovë, në disa regjistra ndërkombëtarë. Tash, kur e shqyrtoni se kush e ka pasur përgjegjësinë për atë çka ka ndodhë, të gjithë e dinë që Serbia. Policia, ushtria, formacionet paramilitare, të cilat ka fakte se kanë qenë të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe”, pati potencuar Konjufca.
Madje, një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë për Gazetën Enigma.
Nga Kabineti i kësaj ministrie thonë se është diskutuar mundësia e një mekanizmi, i cili do të monitoronte këtë aspekt, duke theksuar kështu se ende mbetet në nivelin e diskutimeve fillestare.
“Ministria e Drejtësisë nuk është bartëse e këtij procesi. Pas vizitave në Hagë, është evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe mbi këtë bazë, është diskutuar mundësia e një mekanizmi i cili do të monitoronte këtë aspekt, dhe e cila çështje, ende mbetet në nivelin e diskutimeve fillestare”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë.
Por, si mund të kontrollohet Gjykata Speciale në Hagë?
Medina Kadriu, hulumtuese në IKD, thotë se “sipas amendamentit kushtetues dhe Ligjit mbi Dhomat e Specializuara ka mekanizma të mjaftueshëm brenda gjykatës për të adresuar shkeljet potenciale, duke filluar nga shkallshmëria e gjykatave deri te Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i Popullit”.
Kadriu thekson për Gazetën Enigma se mekanizëm tjetër të jashtëm pothuajse është e pamundur të mendohet të përfshihet në Gjykatën Speciale, pa cenuar pavarësinë dhe integritetin e gjykatës”.
“Mekanizëm tjetër të jashtëm pothuajse është e pamundur të mendohet të përfshihet në Gjykatën Speciale, pa cenuar pavarësinë dhe integritetin e gjykatës. Në anën tjetër, Këshilli i Bashkimit Evropian si mekanizëm që e financon Gjykatën Speciale në takimet e rregullta që kanë me këtë gjykatë mund të adresojnë vërejtjet dhe ankesat lidhur me funksionimin e kësaj gjykate”, shtoi ajo.
Nëse nuk funksionojnë mekanizmat për kontrollim, a mund të shpërbëhet Gjykata Speciale në Hagë?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pati thënë se partia që përfaqëson e ka kundërshtuar fuqishëm themelimin e Gjykatës Speciale, sepse sipas tyre kjo Gjykatë po paraqet një pasqyre te shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë.
Megjithatë, Haxhiu theksoi se do të shohin të gjitha alternativat se çka mund të bëjnë sa i përket kësaj “zhbërjes” së kësaj gjykate thotë se Kosova i ka dyert e mbyllura me amendamentin e ndryshuar për themelim në Kushtetutë.
“Një nga subjektet kryesore në Kosovë është VV-ja që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pikërisht për faktin se kemi konsideruar se gjykata speciale do të paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë. Mirëpo edhe përkundër kundërshtimeve tona edhe në Gjykatën Kushtetuese por nuk kem pasur mundësi ta ndalojmë”.
“Tani na kanë mbyllur derën për çfarëdo veprimi tjetër sepse siç jeni në dijeni Gjykata Speciale është futur në Kushtetutë dhe nuk mund ta heqim edhe Ministria e Drejtësisë i ka dyert e mbyllura çfarëdo aspekti në Gjykatën Speciale përveçse kemi divizionin për mbrojtje juridike dhe financiare të personave që janë në Hagë dhe jemi duke kryer përgjegjësitë tona në raport me mbrojtjen”.
“Do të shohim mundësitë si Qeveri për faktin se kemi pasur një vizitë dhe e kam pasur të pamundur të shkoj dhe ne kemi ankesa të tyre në mungesë të transparencës i kemi adresuar ato te avokati dhe i shohim të njëjtat se a po respektohen apo jo. Do të shohim edhe alternativa të tjera se çka mund të bëjmë në këtë drejtim, mirëpo unë nuk jam shumë optimiste që Kosova ka ndonjë mënyrë sepse na kanë mbyllur dyert me amendamentin në Kushtetutën e Kosovës”.
Çfarë mbrojtje po i jep Qeveria ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim?
Në lidhje me këtë çështje, Kadriu thekson se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Mbrotjen juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
“Miratimi i këtij ligji ka për qëllim mbrotjen mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara”, tha Kadriu.
Mes tjerash, hulumtuesja Kadriu thotë se dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtareve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot u pyet nga përfaqësuesit e mediave për një vizitë të mundshme në Hagë.
Osmani tha se me rëndësi është se çfarë mbrojtje po iu ofrohet atyre dhe jo vizitat në Hagë.
“Me rëndësi është se sa bashkëpunojmë dhe sa kanë mbrojtje kualitative dhe jo vizitat tona në Hagë. Ne nuk harrojmë se kush ka bërë presion që të miratohet Gjykata Speciale”, tha Osmani.
Vlen të theksohet se Gjykata Speciale u krijuar në vitin 2015 me pretendimin për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./GAZETA ENIGMA/