Qytetarët e Kosovës po qëndrojnë në “ethe” pas paralajmërimit se do të ketë sërish rritje të çmimeve në vend, shkruan Gazeta Enigma.
Mirëpo, rritja e çmimeve në Kosovë nuk është i vetmi problem kryesor për të. Ekonomisti, Safet Gërxhaliu thotë problemi tjetër është fakti se nuk po pranohet kriza si krizë përkundër të vërtetës se Kosova ka hyrë krizë në krizë.
Gërxhaliu thotë për Gazetën Enigma se paralajmërimet për rritje të çmimeve nga përfaqësuesit dhe ministrat dhe nuk marrin ndonjë hap për ta ndaluar këtë krizë është mëkati më i madh.
“Kur paralajmërimet se kriza do të rritet vijnë nga përfaqësuesit dhe ministrat e qeverisë dhe nuk do të marrin hapa për ta ndaluar këtë krizë është mëkati më i madhë, por besoj që gjitha këto paralajmërime që po i dëgjojmë se kriza do të rritet është një obligim shtesë për institucionet të bëjnë më tepër që vërtetë ta pranojnë krizën si realitet”, ka thënë Gerxhaliu.
Çfarë duhet bërë?
Sipas Gërxhaliut duhet të analizohet çështja e akcizës dhe e tatimit në vlerën e shtuar.
“Ajo çka duhet të bëhet me urgjencë është koha kur duhet ta analizohet çështja e akcizës dhe e tatimit në vlerën e shtuar dhe po e nënvizojë nuk zgjidhen problemet në Kosovë me asnjë manevrim tjetër përveç me ulje të akcizës dhe të tatimit në vlerën e shtuar”, ka thënë ai, duke theksuar se “çdo kalkulim tjetër është politik, çdo kalkulim politik është popullist dhe kombinimi I popullizmit dhe i politikës është në dëm të qytetarëve”.
A ka Kosova inspektorë?
Gërxhaliu thotë se inspektorët duhet të jenë më aktivë në terren.
“Është e vërtetë që duhet të ketë monitorim, mirëpo monitorimi dhe inspektorati duhet t’i paraprijnë politikave të mirëfillta në interest ë qytetarëve dhe të bizneseve”.
“Mirëpo, derisa të shikohet biznesi se duhet penalizuar, deri sa do të ketë kufizime, atëherë cili është roli i inspektorëve”, ka shtuar ai.
Prandaj, sipas tij politika duhet të jetë në funksion të zhvillimit dhe jo në funksion të popullizmit.
Ndryshe, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ishte ajo e cila paralajmëroi se në vjeshtë mund të ketë sërish rritje të çmimeve.
Sipas saj, ka statistika që tregojnë se ndoshta mund të ketë rritje.
“Ne nuk mund ta parashikojmë rritjen, ka statistika që thuhet se ndoshta në vjeshtë mund të ketë rritje por ndoshta nuk mund të ketë rritje sepse nuk e ke paraparë luftën”, ka deklaruar Hajdari.
E pyetur se cili është plani pasi janë të vetëdijshëm se një krizë tjetër mund të vijë në vjeshtë, Hajdari tha se “sikur të kisha me shumë miliarda në Kosovë do të kisha vepruar shumë lehtë, të mbushi arkën e shtetit me të gjitha furnizimet dhe ta sigurojë tregun e Kosovës”.
Tutje, Hajdari ka deklaruar se do të zhvillojnë masa dhe paketa përkrahëse, por se kjo varet nga buxheti.
“Gjithçka shkon në mundësinë e buxhetit, sa të kemi buxhet kemi mundësi të zhvillojmë edhe masa dhe paketa përkrahëse. Sa të kemi buxhet kemi mundësi të jemi edhe pjesë e stabilizimit të tregut. Por çka mundemi tani për tani të veprojmë, të ndalim lojën e pafavorshme dhe lojën jo fer të lojtarëve që janë spekulant në treg”, ka deklaruar Hajdari.
LEXO EDHE: Paralajmërohet rritje e çmimeve në vjeshtë
Vlen të theksohet që Kosova është përballur me rritje çmimesh edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ka arritur në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të 2021-shit. /Gazeta Enigma/.