Nga dje edhe Kosova ka hyrë në hartën e vendeve të prekur me variantin e ri të COVID-19 i njohur si Omicron, derisa nëntë qytetarë kanë rezultuar të infektuar me këtë variant të koronavirusit.
Derisa në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se varësisht nga situata epidemiologjike edhe do të ndërmarrin masa parandaluese.
Infektologu Shemsedin Dreshaj shprehet se është e nevojshme shtimi i masave anti-COVID, por paralajmëron se përkeqësimi i situatës pandemike me Omicron ka mundësi të ndodhë nga mesi i muajit shkurt.
Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë në një përgjigje për KosovaPress, ka deklaruar se vazhdimisht janë duke shqyrtuar të dhënat e reja mbi të cilat do të përditësojnë masat konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.
“Ministria e Shëndetësisë nuk njeh detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion. Për këtë arsye janë ndërmarr masat kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare, duke marrë parasysh rrezikun e përhapjes së variantit Omicron, andaj në këtë drejtim jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të analizës epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mbi të cilat ne do të përditësojmë masat, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë”, tha Podrimqaku.
Infekologu Shemsedin Dreshaj shprehet se aktualisht Kosova po prin në rajon me numrin më të madh të rasteve me Omicron, por shton se edhe më tej varianti Delta do vazhdojë të jetë varianti dominues në vend.
Ai thekson se Omicronin e karakterizon një përhapje më e shpejt sesa variantet paraprak të COVID-19.
“Paraqitja e 9 rasteve kjo nënkupton se për dallim nga regjion Kosova prin me numrin e rasteve që janë me variantin Omicron dhe kjo do të nënkuptonte që Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi i ekspertëve që funksionojnë brenda IKSHP-së që të prononcohen dhe të marrin masa adekuate lidhur me parandalimin e kësaj sëmundje…Është mjaftë e vështirë që parandalohet një përhapje e këtillë edhe pse variant Delta do të jetë edhe për një kohë variant dominues që është i pranishëm përkundër faktit që variantin e ri të SARS-COV2 e karakterizon variantin Omicron e karakterizon një përhapje më e shpejt edhe më e theksuar dhe më kontagjoz sesa variantet paraprake”, theksoi ai.
Tutje, Dreshaj thekson se për shkak të imunizimi të vonshëm me vaksinat anti-COVID, Kosova nuk rrezikon përkeqësim të situatës deri kah mesi i shkurtit.
Sipas tij, vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga të gjitha variantet, prandaj apelon te qytetarët për vaksinim, përfshirë edhe atë me dozën e tretë dhe përforcuese.
“Është vërtet për tu brengosur numri i vogël i të vaksinuarve që kishim dje. Pardje dh ditët në vijmë. Vaksinat mbrojnë kundër të gjitha varianteve të evidentuara deri më sot në raport me ndërlikimet dhe peshën e sëmundjes. Andaj, vaksinimi duhet të kryet sa më shumë që është e mundur dhe sa më shpejt që është e mundur nuk ka vend për hezitim vaksina është e sigurt”.
“Personat që i kanë marr dy vaksina duhet ta marrin edhe vaksinën e tretë brenda atij intervali 6 mujor në atë mënyrë që të jenë të mbrojtur edhe ndaj variantit COVID, kjo është për shkak se ne kemi filluar vonë vaksinimin masiv është në muaji korrik dhe pritet që kjo situatë epidemiologjike që e kemi aktualisht të jetë e ngjashme deri diku kah fundi i janarit mesi i shkurtit por pas mesit të shkurtit do të ballafaqohemi me një situatë përfaqësish të ngjashme me vendet e Evropës Perëndimore…mendoj për nga incidenca por do kemi numër të shtuar të rasteve shpresoj që ato raste do jenë forma të lehta dhe të mos kenë nevojë për spitalizime të shumta”, theksoi infektologu Dreshaj .
Meqenëse tani edhe në Kosovës janë regjistruar rastet e para me Omicron, infektolgu Shemsedin Dreshaj po konsideron se në këtë fazë në të cilën ndodhet vendi kur është rritur qarkullimi për shkak të festave të fundvitit dhe tashmë prezencës së Omicronit në mesin tonë, është e nevojshme shtimi i masave.
Dreshaj ka treguar se ndonëse në aspektin klinik varianti Omicron nuk dallon nga varianti Delta, ai shprehet se Omicron manifestohet më një simptomatologji më të lehtë por me përhapje më të shpejt se sa variantet e tjera.
“Në aspektin klinik është vështirë të dallohet njëri prej tjetrit sepse kanë shumë ngjashmëri në aspektin e manifestimit klinik , por në aspektin eteologjik dhe në aspektin e trajtimit dallojnë mjaftë njëra prej tjetrës. Në aspektin e parandalimit nuk ka ndonjë dallim, prandaj masat parandaluese do të ndihmojnë për të gjitha format e infeksioneve respiratore që janë në territorin e Kosovës që të parandalohen…..Varinati Omicron deri më sot karakterizohet me tabo klinike pak më të lehtë sesa varinati Delta, karakterizohet me një simptomatologji relativisht më të lehtë sesa Delta, karakterizohet me një përhapje më të madhe se sa variant Delta, dhe në aspektin e ndërlikimeve në mushkri nuk mund t’iu them se cili variant është më agresiv ndaj mushkërive sepse varianti Omicron ende është hulumtim e sipër”, theksoi Dreshaj.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës dje ka bërë të ditur se nga 22 mostra pozitive me COVID-19 të periudhës 15 deri 25 dhjetor 2021, nëntë prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529) ,ku nga këto raste 2 janë të importuara nga SHBA-të, 2 janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, 1 rast është i importuar nga Franca dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës.
Ndërsa, edhe sot gjatës ditës Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar thirrjes për vaksinim anti-COVID./