Qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me një valë shtrenjtimesh të ujit për periudhën 2026-2028.
Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, paralajmëron rritje deri 39 për qind për amvisëritë dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Ramaj thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.
“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj për KosovaPress, transmeton Periskopi.
Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.
