Paralajmëron njohësi i futbollit, shumë klube kosovare do të përfundojnë në gjykatë

Paralajmëron njohësi i futbollit, shumë klube kosovare do të përfundojnë në gjykatë

Elita e futbollit kosovar sivjet si kurrë më parë, duket interesante dhe shumë e luftuar. Pesë skuadra janë në garë për titull ndërsa pesë të tjera në luftë për mbijetesë dhe deri në fund të garave pritet një luftë e ashpër për të arritur objektivin.

Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se cilësia mbetet nën nivelin e dëshiruar, ani pse sivjet klubet tona kanë bërë shpenzime enorme.

Ballkani, Gjilani, Drita, Prishtina e Llapi janë skuadrat që investojnë më së shumti, shifra të cilat shpesh arrijnë më shumë sesa 1 milion euro vetëm për paga, pa logaritur shpenzimet shtesë, si udhëtimet para ndeshjeve, përgatitjet jashtë vendit, shpenzimet mjekësore, pajisjet sportive etj…

Ajo që habit më së shumti është fakti që derisa në gjithë botën pagat janë reduktuar tek ne ato janë rritu pothuaj 200 përqind dhe duke e parë situatën në vend shumë klube rrezikojnë që këto paga të mos i mbulojnë.

Probleme të tilla ka Feronikeli që e ka të bllokuar merkaton për shkak të borxheve ndaj lojtarëve. Telashe të tilla ka pasur edhe Ballkani, derisa  tashmë Drenica edhe hapur ka deklaruara se ka probleme financiare dhe se sa janë mbrapa me tri paga.

Njohësi i mirë i futbollit tonë, Taulant Dajaku në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se si pasojë e menaxhimit të dobët shumë skuadra do të përfundojnë në gjyq.

“Çështja e pagave të fryera është si rezultat i paaftësisë menaxheriale. Ne dallojmë nga krejt bota që ulë rrogat me 50%, ndërsa klubet tona kanë krijuar gropë shpenzimesh me mbi 200% dhe kjo do i qojë një pjesë të madhe të tyre drejt gjyqeve që do t’ju rrezikojnë edhe falimentimet, disa nga to tashme veç kanë probleme të mëdha”, ka thënë Dajaku.

“Mbi 75 % e ekipeve me kah dy rroga borxhe janë”, ka përfunduar Dajaku.

Taulant Dajaku, njohës i futbollit

Të kujtojmë se stinori vjeshtor në futbollin kosovar mbyllet në javën e ardhshme, derisa disa klube  i pret një dimër i ftoftë me shpresë se nuk do të ngrijnë për të mos mundur të dalin në pranverë

Related Articles