Tenistë, notarë e atletë të Kosovës janë paraqitur të hënën në ditën e dytë të Festivalit Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF) në Maribor të Sllovenisë. Rezultatet e tyre ishin goxha të zbehta.
Pasi të dielën në duelet e para individuale u ndalën Altea Hajrizi dhe Salidin Rama, të hënën garuan edhe tenistë tjerë të Kosovës.
Ervin Doli bëri fare pak në përballje me izraelitin Snir David Morag. Morag fitoi 2:0 në sete. Të dyja setet i përfundoi 6:0.
Humbje të thellë pësoi edhe Meldina Bislimi. Ajo përballë e kishte Talita Giardin nga San Marino. Garuesja e Kosovës setin e parë e humbi 6:1, ndërsa të dytin 6:0.
Në çifte, te djemtë, Kosova u përball me Gjermaninë. Humbi shumë thellë. Setin e parë gjermanët e fituan 6:0, ndërsa të dytin 6:1. Për Kosovën u paraqitën Ervin Doli e Salidin Rama.
Edhe vajzat e Kosovës në çifte u përballën me Gjermaninë. Setin e parë e humbën 6:1 e të dytin 6:0.
Altea Hajrizi e Meldina Mislimi garuan për Kosovën, por pa bërë ndonjë rezistencë.
Në not, të hënën garuan Adora Hoxha dhe Arion Budima.
Adora Hoxha u paraqit në disiplinën 100 metra stil të lirë. Mbeti e fundit, përkatësisht e 45-ta në kualifikime, me kohë prej 1:05.34 minuta. Më e mira në kualifikime kishte kohë prej 55.87 sekonda.
Arion Budima garoi në 400 metra stil të lirë. Në kualifikime ishte i 31-ti, përkatësisht i parafundit. Ai kishte kohë prej 4:21.96 minuta. I fundit ishte një notar nga Monaco. Në kualifikime, koha më e mirë ishte 3:51.63 minuta.
Në atletikë, Vesa Jusufi garoi në 100 metra vrapim. Ishte e fundit (8) në grupin e saj kualifikues me kohë prej 13,46 sekonda. Vetëm një garuese e Monakos kishte kohë më të dobët se garuesja e Kosovës në kualifikime. Gjithsej ishin 24 atlete. 11,99 sekonda ishte koha më e dobët që siguroi gjysmëfinalen.
Në 100 metra te djemtë garoi Shkëlqim Deliu. Në grupin e parë kualifikues, Deliu ishte i parafundit (7) me kohë prej 11,80 sekonda. E la prapa Teo Bottin të Monakos që kishte kohë prej 11,83 sekonda. Ishin dy rezultatet më të dobëta në kualifikime. Garuan 25 atletë. 10,92 sekonda ishte rezultati më i dobët që siguroi gjysmëfinalen.
E fundit që garoi të hënën ishte Emine Jonuzi. Pasdite, ajo u paraqit në kualifikime në 400 metra vrapim. Ishte e vetmja me kohë mbi një minutë. Shtegun prej 400 metra e kaloi për 1:02,96 minuta. Ishte e fundit në vazon e tretë dhe në kualifikime.
Fituesja në grupin e Jonuzit kishte kohë prej 53,83 sekonda. Në finale është kaluar me kohë prej 55,73 sekonda.
EYOF-i është ngjarje për sportistët prej 14 deri në 18 vjet. Niveli i pjesëmarrësve vlerësohet goxha i lartë. Garuesit e Kosovës në dy ditët e para kanë kuptuar se i pret punë shumë e madhe për t’iu afruar nivelit serioz evropian. Por më shumë se garuesit, rezultatet duhet të jenë alarmante për trajnerët e tyre dhe federatat e sporteve përkatëse.