Pas 27 vjetësh, u gjetën mbetjet mortore të të zhdukurit Masar Dushi

Pas 27 vjetësh, u gjetën mbetjet mortore të të zhdukurit Masar Dushi

Janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Masar (Imer) Dushit, i cili ishte zhdukur gjatë Masakrës së Kralanit në prill të vitit 1999.

Ai ishte vetëm 23 vjeç kur u ndalua nga forcat serbe dhe për 27 vjet konsiderohej i zhdukur.

Një familjar i tij, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se varrimi për të do të mbahet më 27 shkurt 2026, në ora 14:00, në varrezat e Dëshmorëve në Grabanicë të Klinës, ndërsa homazhet do të zhvillohen më parë, në ora 11:00, në shtëpinë e kulturës “Jehona e Dukagjinit”.

Njoftimi i plotë:

Me dhimbje të thellë dhe zemër të thyer ju njoftojmë se pas shumë vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe shprese, është gjetur dhe identifikuar trupi i dajës Masar (Imer) Dushi, i zhdukur gjatë luftës në Kralan.

Plaga e mungesës së tij ishte e hapur për vite me radhë, por kujtimi dhe krenaria për të nuk u shuan kurrë.

Varrimi do të bëhet me 27.02.2026 në ora 14:00 në varrezat e Dëshmorëve në Grabanicë të Klinës. Homazhet mbahen në ora 11:00 në “Jehona e Dukagjinit” në Klinë në prani të familjarëve dhe miqve, për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për ta përjetësuar emrin e tij në historinë dhe zemrat tona.

Prehu i qetë në Kosovën e lirë pranë dajës Xhevdet dhe dajës Shefqet, aty ku kujtimi dhe dashuria jonë do t’ju rrethojnë përjetësisht.
LAVDI! 

Related Articles