Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar pas raportimeve se nënshkroi marrëveshje me kolegjin privat UBT, ku edhe vet punon si profesor, raporton Gazeta “Enigma”.
Aliu ka thënë se nesër do të nënshkruajë marrëveshje edhe me UP-në, dhe pretendon se ajo ka pasur plan të nënshkruhet sot.
“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, shkroi Aliu në Facebook.
Ky vendim i Aliut ka shkaktuar reagime të ish-bashkëpunëtorëve të kryeministrit Kurti dhe analistëve politikë.
Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, e ka quajtur shkelje të premtimeve të Vetëvendosjes të cilët kanë proklamuar se do të mbështesin institucionet e arsimit të lartë.
“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë. Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Gashi.
Ndërkaq ish-anëtari i VV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se qeveria Kurti 2 do të shkojë drejt dështimi kolosal me një qasje të tillë.
“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.
Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar marrëveshjen e ministrit Aliu me kolegjin në të cilin është i punësuar./ Gazeta Enigma.