Agjencia Kundër Korrupsion do t’ia verifikojë pasurinë në mënyrë të plotë edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Përzgjedhja për verifikimin e plotë të pasurisë u bë me anë të shortit, i cili u hedh sot nga AKK-ja.
Dje, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, Krasniqi ka deklaruar se posedon një apartment me sipërfaqe 110 metra katrorë, që thotë se kushton 110 mijë euro. Këtë apartment, ai ka deklaruar se e ka blerë nga shitja e apartamentit paraprak dhe kursimet.
Përveç këtij apartment, ai ka deklaruar edhe një shtëpi në vlerë 160 mijë euro, që thotë se është në pronësi të përbashkët.
Tek pasurisë e luajtshme, Krasniqi ka deklaruar se posedon një bibliotekë në vlerë 13 mijë euro, piktura e vepra arti në vlerë 6 mijë e 500 euro dhe një veturë Tiguan në emër të bashkëshortes në vlerë 22 mijë e 500 euro.
Sa i përket parave të gatshme, i pari i PDK-së ka deklaruar se ka rreth 11 mijë euro në institucione bankare, teksa ka bërë të ditur se ka edhe kriptovaluta, ku shihet se për dallim nga viti i kaluar, ai ka investuar edhe në NFT.