Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, është shkarkuar pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Në audio-incizimet e transmetuara nga mediumi “Shqip”, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.
Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij.
Po ashtu si drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, ai thotë se ka grumbulluar informacione për shumë persona në strukturën shtetërore.
Nuhiu mban këtë post nga viti 2011./Gazeta Enigma/