Banorët në Rripin e Gazës thonë se bombardimet kanë vazhduar gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës, pavarësisht se Izraeli dhe Hamasi kanë shprehur gatishmërinë për fazën e parë të planit të paqes së presidentit amerikan.
“Pavarësisht thirrjes së Trumpit që Izraeli të ndalojë menjëherë bombardimet, ato vazhdojnë ende,” ka thënë drejtori i spitalit Al-Shifa, Mohammad Abu Salmiya. Al-Shifa është spitali më i madh në Gazë.
Banorët në lagjen al-Sabra gjithashtu kanë thënë se bombardimet po vazhdojnë, raporton CNN.
Nga kampi Al-Zawaida, refugjatët kanë thënë se sulmet janë ndalur, por se dëgjojnë zhurmat e bombardimeve përreth.
Asem Al-Nabih, zëdhënës në bashkinë e Gazës, ka thënë se sulmet në mëngjes janë më të pakta.
Në një postim në X, ai i është drejtuar Donald Trumpit: “Dua që ta dish se edhe pse e ke urdhëruar ndalimin e bombardimeve orë më parë, bombardimet nuk janë ndalur.”
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se veriu i Gazës konsiderohet ende “zonë e rrezikshme lufte.”
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal, ka paralajmëruar tani palestinezët që të mos lëvizin drejt zonave në Gaza ku Ushtria Izraelite (IDF) është ende e pranishme.
“Idenë e të lëvizurit në zonat ku forcat izraelite janë prezente e refuzojmë kategorikisht në këtë kohë, sepse ushtria izraelite ende i kontrollon me zjarr”, tha Basal në një deklaratë. “Tal al-Hawa, zonat al-Zaytoun, Sheikh Radwan dhe kampi Al-Shati. Të gjitha këto zona janë të ndaluara për civilët”, tha ai.
Basal shtoi se kushdo që lëviz në këto zona “mund të vritet shumë lehtë nga ushtria izraelite.”
“Të gjithë jemi duke pritur një njoftim zyrtar për orarin e një armëpushimi nga administrata amerikane, pas të cilit do të fillojmë të lëvizim sipas planit të paracaktuar në terren dhe do të shohim se si do të bëhet tërheqja (e forcave izraelite)”, theksoi ai.