PDK-ja dhe LDK-ja s’kanë plane për koalicione, do të garojnë të vetme

PDK-ja dhe LDK-ja s’kanë plane për koalicione, do të garojnë të vetme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se bashkimi i subjektit që ai drejton në koalicion parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate, është një shembull se si të gjitha partitë opozitare mund të bashkohen për t’i ofruar vendit një program të mirë qeverisës.

Në Rubikon të Klan Kosova, Haradinaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare në vend, dhe se për këtë bashkëpunim ai nuk ka asnjë kusht – përveç punës drejt anëtarësimit në NATO.

”Po vijnë zgjedhjet, të rregullta janë në fund të vitit, por mund të vijnë edhe më të hershme në verë, ose dikur. Ne dëshirojmë të japim nga vetja prova dhe shembuj se mund të bashkohemi të gjithë, t’i japim Kosovës një program qeverisës dhe ta ndryshojmë Qeverinë Kurti për shkak të humbjeve që ua shkakton qytetarëve të vendit në përgjithësi dhe rreziqeve të kësaj qeverisje për vitet që vijnë nëse vazhdojnë. Apelojmë te të gjithë që të bashkohen dhe veç kemi disa partneritete të dakorduara”, tha Haradinaj të enjten mbrëma në Rubikon.

PDK e LDK duan të garojnë të vetme

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë që nuk kanë në plan koalicione parazgjedhore.

Kështu ka deklaruar për Klankosova.tv shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, i cili theksoi se për tema të tilla do të diskutojnë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“LDK nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore me partitë parlamentare. Orientimi ynë është fitorja e LDK-së, mbas zgjedhjeve kur LDK-ja të jetë e para, flasim për çështje të tjera”, ka thënë Gashi për Klankosova.tv.

Njëjtë kanë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, ku zëdhënësi i kësaj të fundit, Faton Abdullahu, theksoi se do të garojnë të vetëm.

Megjithëse Abdullahu potencoi se janë të hapur për siç tha, për ta kthyer Kosovën në binarët e zhvillimit.

“Partia Demokratike e Kosovës tash sa kohë është e fokusuar në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët duke punuar gjithanshëm dhe pandalshëm në të gjitha drejtimet dhe gjithsesi edhe në drejtim të përgatitjes për zgjedhje të ardhshme, të cilat duhet të mbahen sa më parë”, ka thënë Abdullahu për Klankosova.tv.

“Takimet e vazhdueshme me strukturat tona dhe me qytetarë gjithandej Kosovës, na japim të kuptojmë se, tashmë Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim dhe është PDK-ja ajo që do ta ofrojë këtë ndryshim. Në si PDK planifikojmë që ta mobilizojmë gjithë potencialin tonë të brendshëm dhe do të garojmë në zgjedhjet e ardhshme si parti e vetme”, theksoi Abdullahu.

Por, ai la hapësirë që partisë t’i bashkohen individë e organizata a grupe të ndryshme shoqërore.

“Përndryshe, jemi dhe do të mbesim të hapur për individë, organizata e grupe të ndryshme shoqërore të cilat dëshirojnë t’i bashkohen vizionit tonë për ta kthyer Kosovën në binarët e zhvillimit që është i munguar dhe integrimit që është deformuar”, potencoi zëdhënësi i PDK-së.

Teksa, Teutë Rrusta nga Partia Social Demokrate, bëri të ditur se kanë marrë ftesë për koalicion nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por që, në Edicionin Special të mbrëmshëm në Klan Kosova, ajo ka thënë se këtë ftesë e kanë refuzuar.

A do të ketë sërish koalicion LVV-Guxo?

Lëvizja Vetëvendosje nuk është deklaruar ende në lidhje me një koalicion të mundshëm me Guxo.

Ndërkaq Faton Peci, ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Listës Guxo, parti e cila është në koalicion qeverisës me LVV-në, në dhjetor të vitit që lamë pas, pati thënë se një koalicion i serishëm i tyre do të sillte sërish rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Duke komentuar në ATV një sondazh që qarkullonte në media, Peci pati thënë: “Në rast se është real, në një të ardhme Vetëvendosje në koalicion me ne do t’i ketë 50 për qind”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, të mbajtura në vitin 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 50.28% të votave. E dyta ishte PDK (17%), pas saj LDK (12.73%), dhe AAK si e katërta me 7.1%. 

Related Articles