PDK nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme – Tahiri: Kurti po i shmanget përgjegjësisë

PDK nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme – Tahiri: Kurti po i shmanget përgjegjësisë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së në parlament, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për referendumin e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Kuvendi të premten konfirmoi se kjo seancë do të mbahet këtë të shtunë në orën 14:00.

Tahiti ka deklaruar se, “Për ne mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përben shkelje të sovranitetit dhe rendit tonë kushtetues. Në këtë kuadër, ne i kemi parapri dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi. Do të dëshironim që qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e Quintit dhe veçmas me SHBA, pra në raport me këtë çështje”.

“Edhe pse kemi një qëndrim të qeverisë, qeveria dhe mazhoranca kanë bërë thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër për të shtruar këtë temë dhe për debat në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai.

“PDK e sheh krejt të pa nevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, përfundon Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri

Ndryshe, pas kërkesës së kryeministrit, Albin Kurti për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se të shtunën në ora 14:00 do të mbahet seanca ku diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë.

“Rendi i ditës 1. Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kurse, qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”./Gazeta Enigma/

Related Articles