Peja triumfon në Ligën Unike, mposht Yllin në finale

Peja triumfon në Ligën Unike, mposht Yllin në finale

Peja është kampione e Ligës Unike në basketboll. Në finale, të enjten mbrëma në “Karagaçi”, Peja e mposhti Golden Eagle Yllin me shifrat 87:72.

Ndeshja është luajtur në palestrën e stërmbushur dhe në atmosferë të zjarrtë.

Peja shkëputjen e nisi që në çerekun e parë, të cilin e fitoi me rezultatin 23:19. Pejanët ishin dominantë edhe në periudhën e dytë, 26:15. Ndërkohë epërsinë e krijuar e mbajtën edhe në çerekun e tretë, të cilin e fituan me shifrat 20:19. Çereku i katërt vetëm konfirmoi fitoren e skuadrës së Pejës. Ylli e fitoi periudhën e katërt, 19:18, por kjo as për së afërmi nuk ishte e mjaftueshme.

Ylli kishte fituar vjet Ligën Unike, por në finalen e të enjtes mbrëma ishte larg prej triumfit.

Peja në gjysmëfinale e kishte mposhtur Prizreni-16 me rezultat 98:94. Ndërkohë Golden Eagle Ylli ishte skuadër më e mirë se Teuta e Durrësit, duke fituar 84:82.

Ndeshjet gjysmëfinale ishin dukshëm më me rivalitet se finalja.

Dardan Berisha ishte më efikasi te Peja me 22 pikë. Ai shtoi edhe katër kërcime e gjashtë asistime.

Darius Washington kishte statistikat më të mira. Ai ndeshjen e përfundoi me 13 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime.

Stephen Maxwell ndeshjen e përfundoi me 16 pikë e 11 kërcime.

Te Ylli u dallua Henrik Shirko me 17 pikë e 14 kërcime. Erion Kastrati realizoi 23 pikë.

Tani këto dy skuadra i kthehen garës për titull të kampionit në Superligën e Kosovës

Related Articles