Pejë: Prokuroria ka filluar hetimet lidhur me vërshimet tragjike të 24 qershorit

Pejë: Prokuroria ka filluar hetimet lidhur me vërshimet tragjike të 24 qershorit

Prokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Qavolli, ka konfirmuar se kanë filluar hetimet për rastin e vërshimeve që ndodhën para dy javësh në këtë komunë.

Ai për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se e kanë udhëzuar Policinë që të mbledhë të gjitha provat e nevojshme lidhur me këtë rast.

“Prokuroria në Pejë ka filluar hetimet rreth vërshimeve në ketë komunë. Jemi në pritje të raporteve, të cilat do të përcaktonin nëse kemi përgjegjësi penale, prandaj kemi autorizuar Policinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” – tha Qavolli.

Ai ka shtuar se do të hetohen edhe ata të cilën kanë uzurpuar pjesën afër lumit.

“Uzurpimi është vepër penale dhe do të hetohet, mirëpo do të verifikohet edhe a ka përgjegjësi penale nga persona kompetentë, të cilit kishim obligim eventual ta mbikëqyrnin pjesën e rrjedhës së lumit. Nëse rezulton që kanë obligim për mbikëqyrje të asaj rrjedhe atëherë sigurisht që do të ketë edhe përgjegjësi penale” – tha Qavolli.

Ndryshe ky është hetimi i parë për vërshime në Kosovë, shkruan Kallxo.com.

Qavolli ka thënë se nëse do të vërtetohet që vërshimet janë shkaktuar si pasojë e mosveprimit të dikujt, atëherë do të arrestohen personat përgjegjës.

“Do t’i arrestojmë personat përgjegjës që potencialisht janë shkaktarë të këtyre vërshimeve, nëse dalin që janë përgjegjës. Policia është në fazën e grumbullimit të raporteve dhe shumë shpejt do të dalim edhe me njoftim zyrtar se çka kemi arritur me siguru deri në këtë fazë” – tha tutje ai.

Rreth dy javë më parë si pasojë e vërshimeve humbën jetën dy persona në komunën e Pejës dhe disa të tjerë mbetën të lënduar.

Related Articles