Autoritetet turke të martën kanë njoftuar se kanë arrestuar shtetasin kosovar Liridon Rexhepi, pasi i njëjti është identifikuar si menaxher i rrjetit financiar të shërbimit izraelit në Turqi, transmeton Gazeta Enigma.
Rexhepi u hetua pasi u zbuluan parregullsi në llogaritë e tij financiare, të cilat treguan se ai po bënte depozita të panumërta për operativët e Mossad në Turqi përmes Uestern Union.
Media turke Daily Sabah tha se shërbimi i inteligjencës turke deri më tani ka zbuluar se agjentët në terren të Mossad-it në Turqi lehtësojnë transaksionet e tyre të parave përmes vendeve të Evropës Lindore, veçanërisht në Kosovë.
Burimet turke të sigurisë thanë të martën se Liridon Rexhepi, i identifikuar si menaxher i rrjetit financiar të Mossad në Turqi.
Sipas medieve turke, Rexhepi, shtetas kosovar, po transferonte para për agjentët në terren të Mossad-it në Turqi, të cilët filmuan objektivat e Mossad-it me drone, drejtuan operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe grumbulluan informacione për fushën siriane, thanë burimet.
Ai u vu nën mbikëqyrjen e MIT sapo hyri në Turqi më 25 gusht, u ndalua në Stamboll më 30 gusht dhe u arrestua zyrtarisht të martën.
Sipas medieve turke, Rexhepi, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se ka kryer transferet e parave.
Familja e Rexhepit mohon dyshimet e ngritura ndaj tij
Arianit Koci, avokat i autorizuar i Liridon Rexhepit ka publikuar reagimin e familjes së Rexhepit, e cila është e bindur se familjari i tyre është i pafajshëm.
Koci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se si përfaqësues i autorizuar i familjes së Liridon Rexhepit opinionit publik ia përcjell porosinë e saj.
“Të nderuar qytetarë; Të nderuar familjarë, shokë, miq e dashamirë; Njëjtë sikur ju, edhe ne jemi të shqetësuar, njëkohësisht të befasuar, me arrestimin e vëllait tonë, Liridonit, nga autoritetet turke në Stamboll. Ne jemi të bindur që vëllai ynë është i pafajshëm, ngase asnjëherë të vetme nuk jemi të përfshirë në pretendimet që thuhen, as ne si familje, e as Liridoni. Jemi të gatshëm për bashkëpunim me secilin institucion të Kosovës apo edhe të Turqisë për ta sqaruar situatën. Të gjitha informatat eventuale, do të përcjellën përmes të autorizuarit tonë avokatit Arianit Koci”, thuhet në reagim.
Për arrestimin e Rexhepit në Turqi ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo në një konferencë për media konfirmoi se lidhur me rastin Turqia ka dërguar pyetje me shkrim, gjersa shtoi se bashkëpunimi juridik me këtë shtet është shumë i mirë.
“Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunim të shkëlqyer me Turqinë… Në të kaluarën e dini rastin e dëbimit të qytetarëve turq nga Kosova, por në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është shumë i mirë…Ne i trajtojmë kërkesat gjithnjë kur ato janë në përputhje me vendimet e gjykatave, sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve që i kemi. Në këtë drejtim na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë. Por, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes unë kam kërkuar nga drejtori i Departamentit që të më njoftojë vetëm për çështje të cilat mund të njoftohet publiku, prandaj me konsideratë kërkoj që t’ju përgjigjemi me shkrim vetëm për çështjet që na lejohet…”, tha ministrja Haxhiu.