Si zgjidhje më të pranueshme qytetarët serbë për Kosovën e shohin mundësinë që Serbia mos të pranoj pavarësinë por t’i lejoj Kosovës hyrjen në OKB dhe në këmbim të marrin përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, derisa mundësia e pranimit të pavarësisë ende është tërësisht e papranueshme për më shumë se dy të tretat e qytetarëve të Serbisë, transmeton Gazeta Enigma.
Këto rezultate janë gjetur sipas hulumtimit të opinionit publik nën emërtimin “Çfarë mendon Serbia” të kryer në periudhën nga 22 deri 31 qershor me mostrën prej 1067 qytetarëve të moshës madhore nga organizata “Novi treci put”.
Kjo organizatë ka përfshirë në hulumtim si procesi i vaksinimit në Serbi, reagimi i pushtetit ndaj pandemisë, mendimi i qytetarëve për çështjen e Kosovës, por edhe qasja ndaj NATO’s dhe BE’së.
Qëndrimet sa i përket Kosovës ende mbeten të ashpra kundër pavarësisë por ka shenja fleksibiliteti në krahasim me vitet e kaluara sa i përket zgjidhjeve të caktuara ku Serbia do të bënte lëshime në këmbim të përfitimit të diçka.
Më shumë se dy të tretat kanë theksuar se janë kundër pranimit të pavarësisë së Kosovës dhe zgjidhjes eventuale të këmbimit të territoreve, derisa diçka në përqindje më e ulët janë kundër pranimit të pavarësisë në këmbim të Veriut të Kosovës, statusit special të manastireve dhe investimeve në Serbi dhe pranimit të shpejtë në BE.
Shtatë propozime u janë ofruar për Kosovën të anketuarve serbë duke ju kërkuar se a do t’i mbështesnin këto në referendum.
Më së paku ishte mbështetur pranimi pakusht i pavarësisë së Kosovës – 3 % ishin për ndërsa 73 % ishin kundër. Ngjashëm mendonin edhe për këmbimin e territoreve ku Serbia do të njihte pavarësinë por do të dorëzonte Preshevën, Bujanocin dhe Medvedgjën në këmbim me Veriun e Kosovës. 71 5% ishin kundër kësaj.
Zgjidhjes ku Serbia do të njihte Kosovën e pavarur, e do të mbante Veriun e Kosovës, do ta mbështesinin 4 %, kundër do të ishin gjithsesi 51 % dhe me shumë gjasë edhe 27 % të tyre në referendum. Pranim të plotë të Kosovës me eksterritorialitet të manastireve me siguri do ta pranonin vetëm 4 % të të anketuarve, të bindur për kundër janë 53 %.
Sa për BE shumica e serbëve do të votonin për t’u anëtarësuar në rast referendumi me 38 %, me vetëm 20 % që janë kundër. Nga 42 % të të luhaturve 28 % prej tyre me shumë gjasë do të votonin për anëtarësim.
Anëtarësimi në NATO tradicionalisht kundërshtohet në Serbi, ku kundër janë 49 %, e për janë 9 %. Nga ata më pak të sigurt në qëndrimin e tyre, 28 % prej tyre do të votonin për, 14 % kundër.
Kur bëhej fjalë për zgjidhje ku nënkuptohej pranimi i pavarësisë së Kosovës dhe përfitimi i përparësive në forma të investimeve apo përshpejtimit të anëtarësimit në BE, as këtu nuk u pa dallim nga propozimet tjera. 54 % janë kundër, 25 % prej tyre me shumë gjasë nuk do të mbështesin këtë, 8 % nuk janë të sigurt, ndërsa 8 % do ta mbështesnin dhe vetëm 5 % janë për. Në këmbim për anëtarësim të përshpejtuar në BE janë për 5 %, kundër 52 %.
E fundit zgjidhje e shtruar të anketuarve ishte situata ku Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës, por lejon hyrjen e Kosovës në OKB, e në këmbim përfiton hyrjen në BE. Këtu u pa dallim më i theksuar në mbështetje në krahasim me propozimet e kaluara. 7 % do të mbështesin një zgjidhje të tillë, e deri 24 % do të pranonin me shumë gjasë, 19 % u përmbajtën nga deklarimi, 23 % me shumë gjasë do të ishin kundër dhe 28 % do të ishin kundër edhe ndaj këtij propozimi.