Përballja e Kosovës me COVID-19 në 2021, ngecjet dhe pasojat në rrugën pandemike

Përballja e Kosovës me COVID-19 në 2021, ngecjet dhe pasojat në rrugën pandemike

Rastet e para me COVID -19 në Kosovë janë paraqitur më 13 mars të vitit 2020.

Si në çdo vend të botës, edhe në Kosovë gjendja me pandeminë e COVID-19 vazhdon të jetë tronditëse me shifrat e të vdekurve dhe të rasteve pozitive nga ky virus, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Por, krahasuar me vendet e rajonit dhe botës në vendin tonë kohët e fundit nuk ka pasur shifra të larta me raste pozite nga COVID-19.

Pandemia në Kosovë gjatë vitit 2021 sipas ekspertëve shëndetësor cilësohet jo e mirë.

Kosova krahasuar me rajon dhe botë është e fundit për marrjen e masave mbrojtëse, si për fillimin e vaksinimit me dozën e parë, po ashtu edhe me dozat e tjera.

Kur të gjitha vendet në rajon dhe botë administruan një numër të madh të vaksinës mbrojtëse nga COVID-19, në Kosovë as nuk diskutohej për vaksinimin dhe as për blerjen e vaksinave.

Arritja e dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 përmes COVAX

Më 28 mars në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinave anti-COVID-19 nga kompania AstraZeneca përmes programit COVAX.

Nga ky kontigjent u vaksinuan punëtorët shëndetësor në komunat kryesore të vendit.

Nga 8 prilli në Kosovë ka filluar vaksinimi i grup-moshës mbi 85-vjeç kundër COVID-19

Pas vaksinimit të personelit shëndetësor në të gjitha komunat në Kosovë, kategoria e dytë e cila kishe fituar të drejtën për vaksinim ishte grup-mosha mbi 85 vjeç.

Theksojmë, se ndryshe nga tani në ato kohë kishte kërkesa të mëdha për vaksinim/

Tani janë mbyllur edhe shumë qendra të vaksinimit pasi që ka rënë edhe numri i të interesuarve për vaksinim, por edhe pasi që një numër i madh  tani më e kanë kryer këtë obligim.  

Kosova ishte vendi i vetëm në Evropë ku nuk kishte asnjë vaksinë të vetme.

Oda Ekonomike e Kosovës refuzon ftesën nga Serbia për vaksinimin e ndërmarrësve në Beograd

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka refuzuar ftesën nga Oda Ekonomike e Serbisë për vaksinimin e ndërmarrësve të Kosovës në Beograd.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës, kemi refuzuar këtë thirrje për arsye parimore”, kadeklaruar drejtori i OEK-ut, Berat Rukiqi.

Tutje ai ka thënë se ky rast dhe progresi që kanë bërë vendet e rajonit me vaksinimin, janë një alarm shtesë për të gjithë “që të angazhohen fuqishëm në sigurimin e vaksinës”.

“Bizneset tona janë të gatshme të përkrahin institucionet e vendit në këtë proces dhe në procese tjera që na ndihmojnë t’i japim fund krizës shëndetësore”, ka shtuar Rukiqi.

Masat anti-COVID në Kosovë

Në periudha të ndryshme kohore në Kosovë ndryshuan edhe masat mbrojtëse, kur pati raste të shumta pozitive me COVID-19 në Kosovë pati edhe mbyllje totale, por gjithsesi pati edhe periudha kur kishin raste të pakta pozitive dhe lirim të masave.

Nga 12 shtatori filloi vaksinimi edhe të dielave në Kosovë

Kjo është bërë e ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili gjatë një konference ka thënë se qendrat për vaksinim do të jenë të hapura edhe ditëve të diela.

“Pas shtimit të kapaciteteve në një anë dhe stabilizimit të numrit të vaksinave në dispozicion anën tjetër, duke filluar nga data 12 shtator vaksinimi do të bëhet edhe të dielave“, kishte thënë Vitia.

Në Kosovë miratohet vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka miratuar dhënien e vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Më 9 dhjetor të vitit 2021 filloj dhënia e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.

Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Në Kosovë konfirmohen raste pozitive nga variante të ndryshme si “Delta”, Delta Plus, varianti MU dhe tani së fundmi edhe me variantin Omicron

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 29 qershor në Kosovë janë konfirmuar edhe rastet e para të variantit Delta të koronavirusit.

Më 10 shtator të vitit 2021 në Kosovë është shfaqur edhe varianti Delta Plus i COVID-19.

Ministrat e “pandemisë” gjatë vitit 2021

Vitit 2021 e gjeti Ministrinë e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj, i cili udhëhoqi këtë ministri deri në mars të këtij viti.

Më 23 mars të këtij viti Arben Vitia merr detyrën e tij si ministër i shëndetësisë.

Pas garës për të parin e Prishtinës, Arben Vitia jep dorëheqje nga ky post, dhe kjo ministri në kohë pandemie i besohet një ushtrues detyre.

Në vend të Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë erdhi zëvendësministrja Dafina Gexha.

Pak javë më vonë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në krye të kësaj ministrie emëroj Rifat Latifin, i cili edhe tani vazhdon ta ushtroj këtë detyrë.

Kosovarët falsifikojnë testet negative për COVID-19

Në kohën kur ka filluar vaksinimi masiv në Kosovë, kanë filluar edhe tentimet për të keqpërdorur rezultatet e testeve nga persona të ndryshëm, në anën tjetër shtetet evropiane janë duke vazhduar me kufizime sa i përket udhëtarëve nga Kosova, ku për çdo hyrje kërkojnë testin negativ PCR të bërë në 72 orët e fundit.

Përkundër masave që kanë shtetet në Evropë, kosovarët përgjatë kësaj kohe kanë vazhduar të bëjnë manipulime me testet për koronavirus.

Për një test negativ të falsifikuar, qytetarët kanë paguar nga dhjetë euro e më shumë.

Për këto raste, Kosova edhe njëherë u bë lajm në mediat botërore.

“Pandemia ka ndikuar në thellimin e pabarazisë sociale në Kosovë”

Sipas të dhënave nga Institucioni i Avokatit të Popullit, 1.536 qytetarë kanë parashtruar ankesa nëpërmjet këtij institucioni gjatë vitit 2021

Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar 1.536 ankesa nga 1 janari deri më 15 dhjetor të këtij viti është bërë e ditur në konferencën përmbyllëse për këtë vit në këtë institucion, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga këto ankesa, janë hapur për hetim 665 raste ndërsa sa i përket gjinisë së ankuesve 71.4 për qind i takojnë gjinisë mashkullore ndërsa 28.6 janë femra.

Sa i përket adresës së ankesave të qytetarëve nëpërmjet Avokatit të Popullit, ministritë prijnë, me 462 ankesa drejtuar atyre nga qytetarët. Ndërsa pas ministrive, qytetarët kanë drejtuar më shumë ankesa në gjykata me 429 gjithsej, kurse komunat janë bërë shënjestër e gjithsej 232 ankesave qytetare.

Nga rastet e hetuara, bazuar në të drejtat e garantuara me Kushtetutë të Kosovës në të drejtën për gjykim të drejtë e të paanshëm janë parashtruar 251 raste; në të drejtën për mjete juridike 207 raste; si dhe në të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit 121 raste.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se viti 2021 ka qenë vit jo i lehtë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 2.324 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.671.559 doza të vaksinës. Deri më tani 782.060 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Nga 3.263 testime, 53 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Janë shëruar 5 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158.033.

Në total numri i rasteve aktive është 419./Gazeta Enigma/

Related Articles