Përçarje e re në LVV në prag të formimit të Qeverisë – Zgjedhjet e reja në horizont?

Përçarje e re në LVV në prag të formimit të Qeverisë – Zgjedhjet e reja në horizont?

Pas më shumë se 50 seancave të mbajtura për konstituimin e Kuvendit, më në fund u votua propozimi i LVV-së për herë të dytë me emrin e deputetit Dimal Basha, të martën, shkruan Gazeta Enigma.

Këtë ‘zhbllokadë’ e bëri të mundshme Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ku disa deputetë të kësaj partie votuan pro Bashës.

Ndonëse kryeparlamentari dhe nënkryetarët e partive shqiptare u zgjodhën, Kuvendi ende s’u konstituua plotësisht.

Seanca e radhës është shtyrë për 27 gusht, kjo pasi Sllavko Simiq nga Lista Serbe për tri herë radhazi dështoi që t’i marrë votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Procedura vazhdoi me hedhjen e shortit, në të cilin nuk mori pjesë Lista Serbe, e as propozimi i deputetit Nenad Rashiq, kryetari i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, nuk e kaloi këtë sfidë.

E në krejt këtë vorbullë të krijuar, LVV-ja nuk ka dhënë sinjale se i ka votat për krijimin e ekzekutivit të ri.

Përçarje e re brenda VV-së?

Ndërkohë një risi ndodhi sot në LVV, kur ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliut, tha dorëheqje nga partia, kinse për të shprehur pakënaqësinë e tij, se Dimal Basha u ul në ulësen e kryekuvendarit.

E me këtë lëvizje, “zërat brenda VV-së do të rriten”, thotë njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Burim Ramadani.

Sipas Ramadanit, nuk do të ketë fare ‘Qeveri Kurti 3’.

“Zërat e pakënaqur brenda LVV-së do të rriten vazhdimisht në publik, janë të shumtë!

Ndërrimi i kandidatit ishte zgjidhja që u dëshmua e patjetërsueshme”, tha ai për Enigmën.

“Sidoqoftë, bllokada disa mujore u tejkalua në pjesën kryesore nga ndërrimi i kandidatit.

Me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, Dimal Basha, Kosova tash është afër tejkalimit të plotë të ngërçit institucional e politik. Hapi i fundit rreth tejkalimit të plotë të bllokadës duhet të ndodhë nesër, jo më larg”.

Pavarësisht kësaj, ai thotë se “Qeveria Kurti 3 nuk do të bëhet. Të gjitha këto ngjarje të këtyre muajve janë dëshmitë finale pse nuk ka dhe nuk duhet të ketë Qeveri Kurti 3”, u shpreh Ramadani për Gazeta Enigma.

LVV si ka numrat

Njohësi i fushës së politikës, Blerim Burjani, thotë se është fakt i ditur që LVV nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.

Sipas tij, Kuvendi, pasi të konstituohet plotësisht, mund ta shkarkojë veten si Kuvend dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Po të ketë bashkëpunim opozita me LVV, ose opozita mes vete dhe me komunitetet, mund të ketë Qeveri shumë shpejt, por ju mungon plotësisht vullneti politik për arsye të shumta”, tha ai.

Sipas tij “LDK frikësohet të bashkohet në ndonjë koalicion përveç me PDK, LVV, AAK dhe NISMË – sepse frikësohet se e humb elektoratin dhe rangohet më keq në zgjedhjet e ardhshme. LVV frikësohet se e humb elektoratin e saj nëse hyn me PDK-në, dhe kjo rezulton në ngërç politik të pakapërcyeshëm”.

“LVV numrat për shumicë parlamentare nuk i ka, kjo është e ditur. Pra, vetëm të konstituohet Kuvendi plotësisht dhe të shkarkojë veten si Kuvend, për të shkuar në zgjedhje – ky është një skenar i mundshëm,” tha Burjani për Gazetën Enigma.

Tutje, Burjani theksoi se LVV ka dy rrugë: ose të bashkëpunojë me ndonjë parti opozitare, ose të lirojë rrugën për partinë e dytë.

“LVV asnjëherë më nuk mund të marrë mbi 50% të votave të elektoratit.

Ka dy rrugë: ose të bashkëpunojë me ndonjë parti opozitare, ose të lirojë rrugën që opozita të formojë Qeveri nëse i bëjnë votat.

Pra, nuk ka alternativa të shumta për të zgjedhur, përderisa sistemi proporcional në Kosovë gjithmonë mund të jetë problem.

Duhet të ndryshohet, të kalohet në mazhoritar që e qartëson përgjithmonë fituesin,” përfundoi Burjani për Enigmën.

Ndërkaq anëtari i PDK-së dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, thekson se edhe nëse arrihen numrat për formimin e Qeverisë, nuk do të jenë të pastër, por numra të pazareve e kompromiseve.

“Pas konstituimit formal të Kuvendit, nuk pres që formimi i Qeverisë së re të ndodhë me shpejtësi.

Numrat për shumicë parlamentare, edhe nëse grumbullohen, nuk do të jenë rezultat i një konsensusi të pastër politik, por i pazareve dhe kompromiseve që lidhen me marrëveshjet e rënda të pranuara në Bruksel, Ohër dhe me statutin e Asociacionit.

Pra, dilema nuk është e thjeshtë nëse ka shumicë, por çfarë shumice do të ndërtohet dhe mbi çfarë baze”, theksoi ai.

“Nëse ajo shumicë lind nga tradhtia ndaj interesave shtetërore dhe cenimi i sovranitetit të Kosovës, atëherë nuk është forcë e stabilitetit, por burim i një krize edhe më të thellë politike e kombëtare,” përfundoi Berisha për Gazetën Enigma.

Related Articles