Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga procesi i numërimit të votave nga vendvotimet e rregullta dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime më 9 shkurt 2025.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së janë numëruar 97.55% e vendvotimeve, derisa kanë mbetur të numërohen vetëm edhe 62 të tilla, të cilat i takojnë komunave Prishtinë (31), Pejë (28) dhe Leposaviq (3).
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri më 20 shkurt 2025 janë numëruar 97.55% e vendvotimeve apo 2,471 nga 2,533. Procesi i numërimit ka përfunduar në 35 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në 3 komunat tjera: Leposaviq, Pejë, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në anën tjetër, përveç numrit të fletëvotimeve nga vendvotimet e rregullta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar edhe me verifikimin e pakove me fletëvotime nga votimi i diasporës përmes postës.
Rreth 70% e pakove të supozuara me fletëvotime që mërgimtarët i dërguan në kutitë postare që KQZ i kishte hapur në 22 shtete të ndryshme, përfshirë dhe kutinë postare në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.