Ka përfunduar protesta në Prishtinë me moton “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.
Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, u mbledhën në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati.
Pas Gucatit foli edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.