Përjashtohet nga partia deputeti shqiptar që pamundësoi rrëzimin e Qeverisë Zaev

Përjashtohet nga partia deputeti shqiptar që pamundësoi rrëzimin e Qeverisë Zaev

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Kastriot Rexhepi, është përjashtuar nga Lëvizja Besa, një ditë pasi vendosi të mos paraqitej në Kuvend duke pamundësuar rrëzimin e Qeverisë Zaev, pasi nuk e mbështeti mocionin e mosbesimit të Qeverisë.

Kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, e konsideri veprimin e Rexhepit si dëmtim të rëndë të partisë.

“Duke marrë parasysh veprimet e fundit të deputetit të Lëvizjes BESA Kastriot Rexhepi i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, me çka i njëjti veproi në kundërshtim me vendimin e partisë me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë, Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Kasami. Në një shkrim në Facebook.

Ndërkaq, deputeti Rexhepi ka reaguar po ashtu duke e postuar një fotografi të flamurit amerikan e duke shkruar “Zoti e bekoftë Amerikën”.

Të enjten, opozita nuk arriti të siguronte votat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë e Zoran Zaevit, që u dorëhoq ditë më parë pas humbjes në zgjedhjet lokale.

Opozita nuk arriti për një votë të siguronte 61-shin e mjaftueshëm për të rrëzuar Qeverinë. VMRO-DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë ishin bashkuar në qëllimin për ta çuar vendin në zgjedhje./Gazeta “Enigma“/

Related Articles