Përplasja e Sveçlës me aktivistin e LDK-së, PZAP hedh poshtë pretendimin se u shkel heshtja zgjedhore

Përplasja e Sveçlës me aktivistin e LDK-së, PZAP hedh poshtë pretendimin se u shkel heshtja zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me pretendimet për shkelje të heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025.

Bëhet fjalë për rastin ku gjatë ditës së zgjedhjeve ministri në detyrë Xhelal Sveçla, e fotografoi aktivistin e LDK,  sepse në xhaketën e tij ai mbante një simbol të LDK-së e më pas e publikoi edhe në rrjete sociale,

Sipas PZAP, LVV kishte pretenduar se aktivisti i LDK-së, Art Mekoja, ishte parë jashtë shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, e cila shërbeu edhe si qendër votimi gjatë ditës së zgjedhjeve, duke e konsideruar këtë si shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024.

Në përgjigjen e saj, LDK kishte mohuar akuzat, duke sqaruar se ngjarja kishte ndodhur në hapësirë publike, jashtë rrethojave të shkollës, në sheshin “Xhorxh Bush”, dhe se aktivisti ishte thjesht duke pritur kryetarin e partisë në momentin kur ai shkonte për të votuar.

Pas shqyrtimit të ankesës dhe provave të paraqitura, përfshirë video-incizimet e bashkangjitura nga LVV, PZAP ka vlerësuar se nuk ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për të provuar se është kryer shkelja e pretenduar.

“Nga videoja e dorëzuar si provë, nuk vërtetohet se aktivisti i subjektit politik LDK ka kryer veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore. Filmimi është bërë jashtë rrethojave të shkollës, në rrugë publike, dhe nuk dëshmon ndonjë aktivitet zgjedhor apo ndërhyrje në procesin e votimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-së.

Paneli, i përbërë nga gjyqtarët Kymete Kicaj (kryesuese), Skender Çoçaj dhe Arsim Hamzaj, ka konstatuar se barra e provës bie mbi ankuesin dhe se në këtë rast nuk janë ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse për shkelje ligjore.

Sipas ligjit, kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga pranimi i vendimit.

Related Articles