Dejan Pantiq u lirua në arrest shtëpiak, arsyeja pse ishin vendosur barrikadat.
Ato ende nuk janë hequr. Një shenjë që mund të hiqen e ka dhënë lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Ai tha që ka folur me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe se ai i ka thënë që është mirë të hiqen barrikadat.
Por, derisa po diakutohet kjo lëvizje drejt heqjes së barrikadave, në rrjete sociale ka nisur një lëvizje e re më emrin “S’ka dorëzim“.
Por, nuk ka mbetur vetëm në rrjete social.
Insajderi merr vesh se sonte përfaqësues të Listës Serbe janë përplasur me barrikaduesit verbalisht.
Derisa përfaqësuesit politik i kanë paralajmëruar se mund të hiqen barrikadat pas lirimit të Pantiqit, personat që i ruajtën ato për 19 ditë deri tash nuk po pajtohen.
“Ua kanë përmendur parullën ‘S’ka dorëzim“, kanë thënë këto burime.
Sipas tyre barrikaduesit madje edhe i kanë ofenduar përfaqësuesit e Listës Serbe dhe i kanë quajtur gënjeshtarë.
Takimi ka përfunduar pa marrëveshje dhe me tensione derisa tash priten takime të përfaqësuesve të kësaj partie me zyrtarë nga Republika e Serbisë.
Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së i është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.
Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyret e KQZ në Mitrovicë.
Ai dyshohet se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.
Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.