Përvoja e futbollistit shqiptar Taulant Seferi në Ukrainë

Përvoja e futbollistit shqiptar Taulant Seferi në Ukrainë

Qytetin ku jeton aktualisht, Taulant Seferi e përshkruan si të qetë. Thotë se është vend i vogël dhe i bukur. Seferi ishte në disponim të dielën shkaku i një goli të shënuar një ditë më parë.

25-vjeçari po bën karrierë në një kampionat, aktualisht të pazakontë. Seferi është pjesë e Vorskla Poltavas, një prej skuadrave të elitës në Ukrainë.

Ai foli për emocionet e golit të parë në elitën e futbollit ukrainas, por disponimi i tij nisi të humbë kur fliste për situatën në Ukrainë.

“Këtu ku jemi, në Uzhhorod, është qytet i vogël. Por kanë ardhur shumë nga Kievi, nga vendet ku është duke u bërë lufta. Kanë ardhur këtu, sepse është vendi më i sigurt në Ukrainë. Këtu është gjithçka normal. Kur kemi pushim dalim sepse hotelin e kemi 20 kilometra larg nga qyteti, por në shumicën e kohës jemi në hotel. Ka vende të mira këtu, lokale e kafene të mira dhe dalim në kohë të lirë. Këtu ku jemi ne është gjithçka normal”, ka thënë Seferi të dielën për Kohën.

Por situata nuk është normale kur zhvillohen ndeshjet.

Ukraina ka nisur kampionatin dhe po e zhvillon atë, me gjithë se po përballet me pushtimin nga Rusia.

Seferi, që përfaqëson Shqipërinë, në verën e këtij viti bëri lëvizjen te klubi ukrainas, Vorskla. U transferua nga Tirana.

Situata në Ukrainë është shumë larg normales, ndonëse ka nisur futbolli.

“Këtu është kohë e luftës. Për këtë arsye asnjëra skuadër nuk luan në vendet e tyre, është rrezik. E gjithë skuadra jemi të vendosur në një hotel Uzhhorod, jemi afër kufirit me Sllovakinë. Normalisht, ne si futbollistë dhe si skuadër, dhe i gjithë kampionati, kemi kujdes. Frika ekziston te futbollistët, te klubet, te i gjithë shteti, sepse nuk është gjendje normale”, tregon Seferi, i cili shpreson që situata të përmirësohet sa më shpejtë. “Uroj që kjo të kalojë sa më shpejt, sepse nuk është e mirë as për Ukrainën e as për gjithë botën. Pa shikues nuk është ai futbolli i njëjtë. Mungon atmosfera në stadium. Ne po vazhdojmë të luajmë dhe do të luajmë derisa tifozët të kthehen në stadiume. Do të jetë mirë edhe për ne lojtarët kur ata të kthehen”, thotë Seferi.

Seferi është nga Kumanova, ndërsa është rritur fillimisht në futbollin e Maqedonisë Veriore. Një pjesë të madhe të karrierës e ka kaluar në Zvicër, te skuadra si Young Boys, Wohlen, Winterthurit e Neuchatel Xamaxit, për të kaluar më pas në kampionatin shqiptar.

Për një kohë luajti edhe te Teuta, kurse për afër dy vjet ishte pjesë e Tiranës. Me kryeqytetasit u shpall kampion.

“Të them të drejtën nuk jam menduar shumë për këtë lëvizje. Ukraina është kampionat shumë i fortë, kampionat shumë agresiv, dhe kjo më ka pëlqyer. Situata ka qenë dhe është e vështirë. Nuk zhvillojmë ndeshjet në qytetin tonë, Poltava. Nuk është gjithçka normale por futbolli po luhet. Shpresojmë që edhe tifozët të kthehen në stadiume sa më shpejtë”, është shprehur Seferi.

Seferi të shtunën e shënoi golin e parë në elitën ukrainase, në xhiron e gjashtë. Pjesë e Vorsklas është edhe Ardit Toli. Toli asistoi në golin e Seferit.

“Është goli im i parë dhe jam pa dyshim shumë i kënaqur. Por më i kënaqur jam me fitoren dhe me tre pikët sepse nuk e kemi filluar kampionatin mirë. Këto tri pikë kanë qenë shumë të vlefshme për ne si ekip, si Vorskla. Kjo na bën që ta fitojmë besimin si ekip. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për golin. Padyshim se jam i lumtur edhe për Tolin sepse bëri asistim dhe është diçka e mirë. Nga dy shqiptarë erdhi fitorja. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të punojmë fort e të vazhdojmë para”.

Vorskla Poltava është një herë fituese e Kupës. Seferi synon që ta ndihmojë të arrijë edhe më shumë suksese. Por, nuk e di nëse do të qëndrojë për kohë të gjatë.

Te kjo skuadër në të kaluarën kanë luajtur Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmed Januzi.

“Synimi është ta kapim Evropën. Shpresoj të na ecë mirë dhe ta arrijmë synimin e klubit. Unë i kam vendosur vetes synim që të bëj super-sezon e pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, është shprehur Seferi.

Related Articles