Drejtori i Zyrës për Kosovë nga Serbia, Petar Petkoviç, ka deklaruar se kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të lindë në dialogun dhe bisedimet që të dy palët po kryejnë nën kujdesin e BE-së.
“Jo se njëra palë fiton gjithçka, dhe pala tjetër humbet gjithçka”.
“Ky nuk është një kompromis, por nëse hyjmë në një dialog me vija të kuqe të paracaktuara, ne themi atë që duam dhe atë që nuk duam, atë që ne mund të flasim”, tha Petkoviç gjatë një konference të organizuar nga Konventa Kombëtare për Bashkim Evropian.
Petkoviç, po ashtu, ka komentuar rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili kishte thënë se – “Në Fushë Kosovë nuk ka serbë”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën ka thënë se Vuçiç nuk e ka bërë qëllimisht atë deklaratë, teksa ka njoftuar se shteti i Serbisë do të ndihmojë ata bashkatdhetarë kur bëhet fjalë për çështje pronësore, çështje të sigurisë, punësimit dhe probleme të caktuara shëndetësore.
Së fundmi, Petar Petkoviç ishte për vizitë në Republikën e Kosovës, ku edhe ka folur me qytetarët serbë, të cilëve ju ka premtuar se do t’iu qëndrojë afër për t’u ballafaquar me problemet në të cilat ata hasin, në veçanti serbët që jetojnë në Fushë Kosovë.
“Ne do t’i zgjidhim të gjitha ato dhe ne po i zgjidhim ato. Ne kemi rënë dakord dhe kemi bërë një listë të problemeve individuale dhe të përgjithshme me të cilat njerëzit tanë po përballen në Fushë Kosovë”, përfundoi Petkoviç.
I pari i Zyrës për Kosovën, ka vizituar po ashtu edhe Mitrovicën Veriore, si dhe Zveçanin ku edhe është takuar me banorët e të dy vendeve.
Me rastin e kësaj vizite në Zveçan, Petkoviç, i ka dorëzuar çelësat e 16 e apartamenteve për stafin ri të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë, objekt ky që i financua nga Qeveria e Serbisë. “Ne do të përpiqemi të ndihmojmë në periudhën e ardhshme, veçanërisht duke marrë parasysh ndërtimin e shtëpive”. Përveç kësaj ndërtese të bukur, e cila u ndërtua me fondet e Qeverisë së Republikës së Serbisë, dy ndërtesa të tjera po ndërtohen pikërisht këtu në Zveçan, dhe gjithsej 17 ndërtesa të reja dhe 202 apartamente po ndërtohen në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviç