Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kjo iniciativë e cila ka filluar në Novi Sad fillimisht e quajtur iniciativë Mini-Shchengen ka shkelur parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
“Iniciativa Ballkani i Hapur nuk shkel asnjë parim, siç pretendon Osmani, krejtësisht e painformuar, politika e së cilës bazohet në shkeljen më të drejtpërdrejtë të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit dhe refuzimin e çdo mundësie për bisedime dhe kompromis”, thuhet në reagimin e zyrës së Pektoviç.
Petkovic theksoi se “Vuçiç është një luftëtar i sinqertë dhe i përkushtuar për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe përparimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që tregohet duke avokuar për nismën “Ballkani i Hapur”.
“Por, është më se e qartë se te Prishtina nuk ekziston një minimum gatishmërie për bashkëpunim dhe lidhje që synon një jetë më e mirë për çdo qytetar”.
“Këtë e tregon drejtpërdrejt Vjosa Osmani me kritikën e saj të fundit për nismën e “Ballkanit të Hapur”, edhe pse Shtetet e Bashkuara, e kanë mbështetur nismën e “Ballkanit të Hapur”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviç, ka folur për iniciativën “Open Ballkan” duke e konsideruar këtë iniciativë si shkelës i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe parimit të gjithëpërfshirjes.
“Kjo iniciativë e cila ka filluar në Novi Sad fillimisht e quajtur iniciativë Mini-Shchengen ka shkelur parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
Sipas Presidentes, Kosova ka shqetësime të lidhura me qëllimet e kësaj inicative dhe qëllimet që Serbia ka në këtë iniciativë.
“Prandaj ne insistojmë që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e procesit të Berlinit i cili udhëhiqet nga Gjermania. Kosova e ka bërë të qartë se alternative e vetme që e shohim për të ecur përpara drejtë strukturave euroatlantike është duke qenë pjesë e procesit të Berlinit”, ka thënë Osmani.
Ndërsa për Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, iniciativa “Open Ballkan” duhet t’i trajtoj të gjitha vendet në mënyrë të barabartë.
“Nuk na prek neve në mënyrë direkte, por nëse iniciativa ka qëllime të mira atëherë duhet ta marrim parasysh, por me kusht që të gjitha shtetet të trajtohen njëjtë, në të kundërtën atëherë duhet pyetur se cilat janë motivet e saja”, u shpreh Milanoviç.
Sipas tij nëse Kosova në këtë iniciativë nuk përfshihet në mënyrë të barabartë, atëherë kjo iniciativë është pa lidhje.