Pikëpamjet e grave në Kosovë shpesh shpërfillen në televizion dhe sulmohen online

Pikëpamjet e grave në Kosovë shpesh shpërfillen në televizion dhe sulmohen online

Arlinda Kqiku

Pikëpamjet e grave të Kosovës kryesisht shpërfillen nga mediat kryesore, por kur ato flasin hapur, rrezikojnë të sulmohen, ofendohen dhe kërcënohen në internet.

Në fund të vitit të kaluar, Zana Avdiu tha me zë të lartë diçka që disa kosovarë të tjerë po e mendonin, por nuk guxonin ta thoshin. Dhe që atëherë ajo ka paguar një çmim për këtë.

Aktivistja për të drejtat e grave, Avdiu ishte e ftuar në T7, një kanal televiziv lokal, kur kritikoi Granit Xhakën, një futbollist me origjinë shqiptare që luan për Arsenalin dhe Zvicrën, për një gjest që ai bëri gjatë një ndeshjeje mes Zvicrës dhe Serbisë.

T7 postoi një pjesë të komentit të saj në faqen e tij në Facebook dhe brenda shumë pak kohësh ai u pa nga qindra mijëra njerëz. Nga 1,989 komente në kohën e raportimit, 1,902 ishin të natyrës fyese. Pesë për qind përmbanin kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Avdiut dhe dy ishin kërcënime me vdekje.

Në Twitter, Avdiu u përmend në 334 komente brenda 24 orëve nga postimi i T7, ku 55 për qind përmbanin përmbajtje seksuale, 30 për qind përbënin ngacmim dhe vetëm dy për qind ishin komente mbështetëse. Nga monitorimi i BIRN, rezulton se vetëm një nga llogaritë në Twitter ishte false; kurse pjesa tjetër ishin reale.

Por Avdiu nuk është e vetmja grua që përballet me këtë situatë.


Zana Avdiu, aktiviste për të drejtat e grave. Foto: Me mirësjellje të Zana Avdiut.

Pabarazia gjinore mbetet e përhapur në Kosovë, ku gratë që angazhohen në diskursin publik përballen, nga njëra anë, me përndjekje, kërcënime dhe ngacmime në platformat e mediave sociale si Facebook dhe Twitter, dhe nga ana tjetër shpesh atyre u mohohet e drejta për të marrë pjesë në diskutime publike, veçanërisht në debate televizive.

Ky fakt jo vetëm përjetëson margjinalizimin e grave në jetën publike, por edhe pengon progresin drejt barazisë gjinore.

“Gjuha e ashpër ndaj grave në Kosovë për deklaratat e tyre publike, sulmet dhe linçimet bëhen vetëm për shkak se ato janë gra, me idenë e eliminimit të tyre nga skena publike”, tha Avdiu për BIRN. “Dhe arsyeja tjetër që ato sulmohen është se ato janë një target  më i lehtë.”

Grave u ndalet zëri

Sipas profesorit të gazetarisë, Milazim Krasniqi, debatet politike në Kosovë janë “arena gladiatorësh”, me theks të veçantë te konkurrenca e ashpër dhe spektakli, dhe jo tek argumenti konstruktiv. Kjo është një qasje e pasqyruar në media, së cilës shpesh i mungon serioziteti dhe thelbi, tha Krasniqi për BIRN.

Shumë nga debatuesit që shfaqen në TV mbrojnë “të vërtetat” e ndonjë grupimi politik, “dhe jo të vërtetën si të tillë,” tha ai. Dhe në përpjekje për të mbrojtur pozicionin e tyre “të kompromentuar”, ata “bërtasin, shajnë, e fyejnë”.


Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë. Foto: Me mirësjellje të Milazim Krasniqit.

Pra, padyshim, gratë nuk ftohen të marrin pjesë në debate, pavarësisht nga kompetencat e tyre për një çështje të caktuar, sepse sipas Krasniqit televizionet në vend të komunikimit konstruktiv, duan zhurmë, kakofoni e grindje.

Gratë në anën tjetër që thonë të vërtetën fitojnë zemërimin e një shoqërie patriarkale, diskriminuese që u mohon atyre të drejta të barabarta, tha Krasniqi.

“Kjo është arsyeja pse mund të ketë hezitim për pjesëmarrjen e grave në publik për shkak të etiketimeve që janë të përhapura, veçanërisht në komente.

Të tilla komente të pa filtruara “janë bërë si qeliza kancerogjene në Kosovë kanë deformuar komunikimin publik”, tha Krasniqi për BIRN dhe media “përfiton nga ato komente”.

Raporti i pjesëmarrjes mes burrave dhe grave në emisionet politike është më shumë se 10 me 1

Pas monitorimit të BIRN të katër televizioneve kryesore në Kosovë për një periudhë dy javore, 15-31 janar, rezultoi se gjithsej 100 të ftuar ishin meshkuj në emisionet politike dhe vetëm nëntë gra. Burrat, zakonisht ishin nga sfera e politikës ose nga shoqëria civile, ku dominonin temat rreth politikës, sigurisë dhe ekonomisë. Toni në këto debate ishte shpesh luftarak.

Në anën tjetër nëntë gratë e ftuara folën kryesisht për dhunën në familje dhe politikën e jashtme të vendit.

Në rrjetet sociale, komentet negative që kishin target gratë e ftuara në debate shpesh nuk kishin lidhje me temën e diskutimit, ndërsa komentet në lidhje me të ftuarit burra ishin pa ndryshim në lidhje me çështjen në fjalë.


Gjetjet nga analiza e kryer nga BIRN në mediat sociale dhe përfaqësimi i grave në emisionet televizive. Infografik: BIRN/Igor Vujcic.

Mungesa e paraqitjes së grave në televizione reflekton mendësinë mbizotëruese se “politika është për burrat”, tha Arbresha Berisha, redaktore në Kanal 10, dhe një hezitim të grave për t’u ekspozuar ndaj stigmës.

“Gratë hezitojnë më shumë të marrin pjesë në debate televizive, prandaj edhe mediat u japin më shumë hapësirë burrave, pasi ata janë më të aksesueshëm për ta”, tha Berisha. “Për fat të keq, televizionet tashmë po përforcojnë stereotipin se ‘politika është punë për burrat’. Kjo nuk duhet të ndodhë.”

Berisha tha se reagimi publik që ato marrin i pengon gratë të marrin pjesë në debatet televizive mbi politikën, sigurinë dhe sportin. Edhe gratë që punojnë në institucione publike refuzojnë ftesat për të folur para kamerës dhe janë më të gatshme të ndajnë pikëpamjet e tyre me shkrim, tha ajo për BIRN, duke e kritikuar industrinë e medias, e cila nuk e ka përparësi integrimin e grave në TV.

“Jemi në një kohë kur numri i televizioneve të reja që po i bashkohen tregut mediatik është në rritje, prandaj edhe konkurrenca po rritet”, tha Berisha. “Në këto raste, mediat shpesh harrojnë pjesën e integrimit të grave në debate, pasi fokusohen vetëm te njerëzit që janë më të aksesueshëm.”

Time Kadriaj, deputete, tha se ajo shpesh përmbahet nga pjesëmarrja në debate për shkak të gjuhës nënçmuese të përdorur nga komentuesit e rrjeteve sociale.

“Përpiqem të jem e hapur me gazetarët dhe mediat në çdo kohë, por ka raste kur ndoshta hezitoj të shkoj për shkak të gjuhës që mund të përdoret në debate”, tha Kadriaj për BIRN. “Në përgjithësi, ruaj qëndrueshmërinë time dhe jam përpjekur të përfaqësoj gratë dhe t’ju them se ne jemi të barabarta me burrat në studiot televizive.”

Ndonëse përfaqësimi i grave në TV mund të jetë përmirësuar pak në vitet e fundit, ai ende pengohet nga kultura mbizotëruese patriarkale, tha ajo.

“Debatet janë të hapura, por ka mungesë të kulturës politike dhe sociale te debatuesit në media. Pra, aty ku ka një gabim dhe mendimi nuk përputhet, e vetmja zgjidhje është përplasja dhe ofendimet televizive mes palëve, që për pasojë i kanë bërë gratë të ndihen të fyera dhe të frikësuara të dalin në debat.”

Pozicioni tërheq trajtim edhe më të keq


Bexhet Shala, kryetar i Këshillit të Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Foto: Me mirësjellje të Bexhet Shalës.

Bexhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se gjuha e përdorur për ose rreth grave në parlament është pak më e mirë por përkeqësohet sa më lart të ngrihet një grua.

“Ato janë të diskriminuara edhe në ‘Tempullin e Demokracisë’, ku ky fenomen nuk duhet të ndodhë”, tha ai, duke iu referuar parlamentit. “Që paradoksi të jetë edhe më i madh, një fjalor i tillë është përshkallëzuar ndaj deputeteve apo politikaneve femra.”

“Diskriminuesit citojnë lirinë e fjalës dhe të shprehjes në keqpërdorimin e këtyre lirive, sepse pikërisht një nga vlerat dhe parimet e të drejtave të njeriut është mosdiskriminimi dhe barazia pavarësisht gjinisë, moshës, bindjeve politike dhe fetare, statusit në shoqëri etj.”

“Diskriminimi, përfshirë gjuhën diskriminuese, duhet të dënohet në përputhje me rrethanat”, tha Shala.

Avdiu tha se ka bërë 200 denoncime në polici dhe se disa nga ata që e kërcënonin ishin arrestuar.

Përvoja e ka bërë atë më të vendosur, tha ajo për BIRN.

“Duke parë se ku është ende shoqëria jonë, duke mbrojtur fuqishëm shtypjen dhe dhunën ndaj grave, për mua kjo është një shenjë se duhet të luftoj dy herë më shumë për ta ndryshuar këtë… Dhe kushdo që e ka përjetuar këtë, duhet ta shohë në këtë mënyrë.”

Related Articles