Një person është plagosur gjatë mbrëmjes së sotme rreth orës 21:00 në rrugën “George Bush”, në Prishtinë, ndërsa i dyshuari i këtij rasti me iniciale I.I., është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Rastin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 21:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën ‘George Bush’, në Prishtinë. Pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat menjëherë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Ajo tutje ka treguar se personit të dyshuar I.I., mashkull 33 vjeç, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast një person është lënduar, dyshohet nga arma e zjarrit” ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka treguar se aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.