Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është plagosur me armë zjarri të hënën mbrëma rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë.
Incidenti ka nisur si një konflikt verbal mes zyrtarit dhe një personi tjetër, i cili më pas ka eskaluar në të shtëna me armë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar plagosjen e një personi.
I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Pas trajtimit fillestar, pritet të transferohet në Klinikën e Ortopedisë.
Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, njoftoi Flora Ahemeti nga policia.
Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Pas raportimeve, kanë reaguar edhe nga IPK të cilët kanë theksuar se incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet dhe janë në kërkim të të dyshuarit të identifikuar.
“IPK ju konfirmon se nê incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare. Aktualisht policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha Arbër Beka nga IPK. / Gazeta Enigma.
