Policia arreston grupin kriminal që bënte kërdi me grabitje të armatosura në rajonin e Prishtinës

Policia arreston grupin kriminal që bënte kërdi me grabitje të armatosura në rajonin e Prishtinës

Aktualisht në Kosovë siguria publike konsiderohet se po cenohet nga krime të ndryshme, raporton Gazeta “Enigma”.

Pompat e derivateve dhe shitore të ndryshme në vendin tonë janë caku i vjedhjeve nga grupet e armatosura.

Sinjali mëson ekskluzivisht se një grup kriminal i përbërë prej katër personash është arrestuar të hënën mbrëma në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Sipas burimeve, katër të arrestuarit dyshohen për një sërë grabitjesh nën kërcënimin e armëve, kryesisht në pompa derivatesh në rajonin e Prishtinës, por edhe në shitore e vende tjera dhe të njëjtit ia kishin mësyrë që të largohen nga shteti i Kosovës.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në pronat e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa prova materiale për rastet në të cilat dyshohet se janë përfshirë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Related Articles