Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar dje një person të dyshuar për kontrabandë në Viti.
Sipas njoftimit ai kishte të ngarkuar një automjet me mall të kontrabanduar në Viti të cilin po e kontrabandonte përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
“Me datën 13.11.2023 Njësia e Task Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale, ka ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është kryer edhe kontrolli në një lokacion tjetër të dyshuar por nuk është gjetur sasi e mallrave tjera.
Të gjitha veprimet rreth rastit janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë dhe rasti trajtohet tutje në procedurë të rregullt.