Policia e Gjilanit thotë se s’ka mundur ta vërtetojë nëse Durmishi voziti pa e vendosur rripin e sigurisë

Policia e Gjilanit thotë se s’ka mundur ta vërtetojë nëse Durmishi voziti pa e vendosur rripin e sigurisë

Policia e Gjilanit thotë se s’ka mundur të vërtetojë nëse zëvendëministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi po e ngiste veturën pa e vendosur rripin e sigurisë, pasi një video që qarkulloi ditëve të fundit u bë lajm në media.

Nga zyra për informim e PK në Gjilan i thanë Gazetës Express se nuk e dinë nëse automjeti ka lëvizur në autostradën Prishtinë – Gjilan në zonën që është në përgjegjësinë e saj.

“Ju njoftojmë se zyrtarët policor nga njësiti i komunikacionit rrugor të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan pas postimit të këtij video incizimin nuk kanë arritur që të specifikojnë dhe vërtetojnë se automjeti në fjalë gjatë realizimit të video incizimit ka lëvizur në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi kishin publikuar një video nga vetura teksa flisnin për inspektimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Gjilan.

Durmishi tha pas raportimeve se “video është bërë në punishte në vendin ku po zhvillohen punimet” dhe se “aty nuk ka qarkullim të automjeteve sepse është e mbyllur për komunikacion”.

“Unë aty nuk kam qenë duke vozitur por vetëm kam qenë në ulësen e shoferit sa për atë video”, shkroi Durmishi në një reagim në Facebook, duke u shprehur “i gatshëm që të paguaj gjoben”, nëse, siç tha “konsiderohet që kam shkaktuar ndonjë rrezik në komunikacion”.

Related Articles