Policia e Kosovës mbyll edhe një institucion paralel në veri

Policia e Kosovës mbyll edhe një institucion paralel në veri

Policia e Kosovës ka mbyllur më 27 dhjetor një tjetër institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë – Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut – ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai tregoi se Policia ka reaguar pasi ka pranuar informacion se një ndërmarrje e tillë gjendet në një ndërtesë banimi afër Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut dhe më pas ky informacion u vërtetua si i saktë.

“Pasi që është kontaktuar prokurori i rastit, dokumentet që u gjetën atje u konfiskuan dhe disa persona u intervistuan dhe rasti si falsifikim i dokumenteve i bashkëngjitet rastit të mëhershëm që e kishim me strukturën paralele të Mitrovicës së Veriut”, tha Elshani, duke shtuar se nuk ka të arrestuar për këtë rast.

Një ditë më herët u mbyllën dy ndërmarrje publike serbe, që punonin sipas sistemit të Serbisë: Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore.

Related Articles