Policia e Kosovës merr pjesë në Konventën e Shefave të Policive në Europol

Policia e Kosovës merr pjesë në Konventën e Shefave të Policive në Europol

Konventa Vjetore e Shefave të Policive u mbajt më 23 dhe 24 shtator në selinë e Europolit në Hagë, raporton Gazeta “Enigma”.

Pjesë e kësaj konvente ishte edhe një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës, i cili u udhëhoq nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Europol.

Tutje Policia ka njoftuar se në qendër të diskutimeve në Konventë, ishin temat që lidhen kryesisht me krimin e organizuar ndërkombëtar, luftën kundër trafikimit të narkotikëve, pastrimin e parave, keqpërdorimin e shërbimeve financiare digjitale, si dhe format e reja të krimit financiar.

Gjatë punimeve të Konventës, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të lartë të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare.

“Në këto takime u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë rajonale dhe globale, format inovative të bashkëpunimit policor, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira që synojnë forcimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve të organizatave policore”, thuhet tutje në njoftim.

“Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë konventë është një dëshmi e qartë e angazhimit të saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet për të përballuar sfidat e sigurisë që po evoluojnë në nivel global”.

Related Articles