Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin që ndodhi në zonën e Komunës Zubin Potok, ku thuhet se menjëherë pas pranimit të informacionit janë ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore, me qellim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar, raporton Gazeta Enigma.
Policia ka njoftuar se dëshmitarët e rastit, gjatë ditës janë intervistuar dhjetë persona nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme nuk kanë dhënë deklarata me pretekst se deklaratat do t’i deponojnë në polici në Prishtinë.
Tutje, në njoftim thuhet se policia nuk ka arritur të gjej prova materiale përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur.
“Policia menjëherë ka ndërmarr veprimet në kërkim dhe identifikim të vendit të ngjarjes dhe provave të mundshme materiale. Në zonën malore të fshatit Bube, janë dërguar njësite patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policor dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone, me qellim të sigurimit të informatave rreth rastit”, thuhet në sqarimin e policisë.
“Sot nga orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e dhjetë (10) ankuesve, ndërsa hetuesit policor së bashku me dëshmitaret dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë serish shikimin e vendit të ngjarjes me qellim të kërkimit të provave materiale”, thuhet në sqarim.
Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e banorëve të zonës se Zubin Potokut, për zbardhjen e rastit të raportuar. Të gjitha veprimet policore në lidhje me rastin do të koordinohen në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Mitrovicë.