Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në protestën e organizuar nga PSD-ja në zyrën e ZRRE-së janë arrestuar 13 persona, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Sipas policisë e gjithë kjo ka ndodhur pasi që ata kanë penguar punëtorët e ZRRE në detyrën e tyre.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Njoftimi i plotë:
Për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës, arrestohen 13 persona
Prishtinë, 14 shkurt 2022 – Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRrE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.
Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.
Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej./Gazeta Enigma/