Njësitet policore të Mitrovicës së Jugut, sot kanë realizuar kontrolle në 11 shkolla të mesme në tri komuna, në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri e Skenderaj, me ç’rast ka konfiskuar gjashtë thika , të cilat i posedonin nxënësit e këtyre shkollave.
Provat e gjetura materiale, i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku është sugjeruar që rastet të iniciohen dhe të hetohen në procedurë të rregullt, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë në shkolla, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, gjatë ditës sotme njësitet policore kanë realizuar kontrolle të nxënësve në shkolla të mesme të larta në tri komunat, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri e Skenderaj.
Gjatë kontrollit në shkollat e këtyre tri komunave, tek nxënësit e këtyre shkollave janë gjetur gjashtë thika.
Në njoftimin e policisë thuhet se mbi bazën e vlerësimeve periodike dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me këshillat i prindërve, këshillat e shkollave dhe autoriteteve të arsimit, me qëllim të parandalimit me urdhëresë të Gjykatës kompetente janë zbatuar urdhër kontrolle të nxënësve në shkolla. Me qëllim të identifikimit dhe sekuestrimit të sendeve të paligjshme, janë kontrolluar 11 shkolla të mesme, 278 paralele me gjithsej 5585 nxënës, me ç’ raste gjatë kontrollimit brenda hapësirave të shkollave të ndryshme në posedim të nxënësit janë gjetur gjashtë thika, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Provat e gjetura materiale i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku është sugjeruar që rastet të iniciohen dhe të hetohen në procedurë të rregullt, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës.
Policia, mbetet e përkushtuar në parandalimin e incidenteve në shkolla dhe falënderon për bashkëpunim të ndërsjellë me autoritetet e shkollave në ofrim të sigurisë në shkolla.