Policia ka mbajtur të premten në shkollat e rajonit të Mitrovicës ligjërata për parandalimin e lojës së rrezikshme në rrjetin social “TikTok”.
Sipas policisë, bëhet fjalë për lojën e rrezikshme “Sfida, thyerja e kafkës”.
“Me qellim të parandalimit të pasojave në Institucionet edukativo-arsimore rreth lojës së rrezikshme që po qarkullon në rrjetin social TikTok ‘Sfida, thyerja e kafkës’, me miratim të Drejtorive Komunale të Arsimit të tri komunave: Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, policia ka filluar realizimin e ligjëratave informuese në Institucionet edukativo-arsimore”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se me ligjëratat informuese do të vazhdohet edhe gjatë ditëve në vijim me synim të vetëdijesimit të nxënësve rreth pasojave të këtyre lojërave të rrezikshme në rrjetet sociale dhe efektet negative që shkaktojnë te nxënësit.
“Gjithashtu synohet që përmes këtyre ligjëratave nxënësit të marrin njohuri, udhëzime dhe këshilla rreth masave të sigurisë në rrjetet sociale, në përdorimin e sigurt të internetit dhe krijimin e një ambientit të sigurt në të gjitha shkollat e rajonit të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.