Policia në Shtime, bazuar në Strategjinë e Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijësimit të nxënësve për dukuritë negative, ka realizuar ligjërata me nxënës të klasave të 7-ta, 8-ta dhe nxënësit e klasave të 9-ta, në pesë shkollat e mesme të ulëta në Shtime.
Këto ligjërata u mbajtën në shkollat e fshatrave Carralevë dhe Zborc ‘’Abdullah Shabani’’, në shkollën e fshatit Pjetrshticë ’’Idriz Ajeti’’ dhe në shkollën e fshatit Muzeqinë ‘’Lasgush Poradeci’’, me temë ‘’ Parandalimi i ngacmimeve seksuale dhe masat ligjore ndëshkimore’’.
Ligjëratat janë mbajtur nga ana e instruktorëve të Policisë Rajonale, e cila ka për synim vetëdijesimin e nxënësve për të kontribuar në parandalimin e ngacmimeve seksuale.
Gjithashtu, nxënësit janë njoftuar edhe për detyrat dhe përgjegjësitë që ka policia në fushën e parandalimit, reagimit, përkatësisht të trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale , masat ligjore dhe ndëshkimore, si dhe për pasojat që shkakton kjo dukuri, thuhet në komunikatën e Policisë për medie