Policia ndal të rinjtë që silleshin me BMW në Prishtinë, dy prej tyre i kapin me drogë e thika

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në rrugën “Struga” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një veturë, në të cilën ndodheshin disa të rinj, nën dyshimet se posedojnë gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te njëri nga të dyshuarit, pas kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një mjet të mprehtë, thikë, si dhe një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë. Përveç tij, Sinjali mëson se edhe te shoferi është gjetur një thikë.

Droga dhe dy thikat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rasteve ndaj tyre për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Related Articles