Policia e Kosovës tha se ka menaxhuar situatën e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për Vidovdanin, festë kjo e serbëve ortodoksë për të shënuar “përkujtimin e vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389”, njofton Gazeta Enigma.
Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore.
Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
“Ju njoftojmë se lidhur me manifestimet e “vidovdan-it” mbajtur sot me datë 28.06.2024, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarr masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar. Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë të zhvillohen qetë dhe pa incidente”, thuhet në komunikatën e policisë. /Gazeta Enigma