Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë pas sulmit të ndodhur në kanalin e ujit “Ibër Lepenci”, duke theksuar se infrastruktura kritike është bërë objekt i sulmit.
Sipas njoftimit, informatat për incidentin janë marrë në orën 19:00 dhe menjëherë janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme, shkruan Gazeta Enigma.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e sulmit. Ky akt është konsideruar një kërcënim ndaj sigurisë dhe rendit publik, duke kërkuar një reagim të shpejtë dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional.
“Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, atë të Emergjencave, Ujësjellësit, Ibër Lepencit dhe KEK-ut.
Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit“, thuhet tutje.
Policia ka bërë me dije se njësia për trajtimin e materialeve eksplozive po kryen hetimet, dhe është konstatuar se shpërthimi ka qenë sulmi i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga persona të dyshuar
“Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.
Bashkërendimi i veprimeve në terren, është duke vazhduar nga institucionet e Kosovës, e po ashtu lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.
Policia e Kosovës, ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drej zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.” – thuhet tutje.
“Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.
Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës“, thuhet në fund./GazetaEnigma/