Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet.
Sinjali mëson se tri raste të tilla janë zbuluar në ditët e fundit në Prishtinë, Gjilan dhe Vushtrri.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në një banesë në rrugën ‘Raif Halimi’ në Gjilan, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë. 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit ai do të hetohet në liri.
Edhe një i ri në Vushtrri u kap në flagrancë më marihuanë, pasi dëshmitarët kishin raportuar se e kanë parë duke konsumuar lëndë narkotike. 22-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prishtinë, ka ndalur për kontroll një person, tek i cili është gjetur një qese me marihuanë. Droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 23-vjeçari ka përfunduar në pranga dhe është shoqëruar në stacion policor.
Në të gjitha rastet e mësipërme, Prokuroria ka nisur hetimet për secilin veç e veç, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.