Policia zbulon laboratorë që zhvillonin veprimtari të paligjshme në Fushë Kosovë, arrestohen pronarët

Policia zbulon laboratorë që zhvillonin veprimtari të paligjshme në Fushë Kosovë, arrestohen pronarët

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ndaluar funksionimin e aktiviteteve në dy loberatorë në Fushë Kosovë, me ç’rast ka arrestuar edhe dy pronarët e këtyre loberatorëve, raporton Gazeta “Enigma”.

Tutje ata kanë njoftuar se përmes një aksioni hetimor, Policia ka kontrolluar dy loberatorë të analizave biokimike që dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetues policorë kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit kanë ndërmarrë sot një operacion hetimor në qytetin e Fushë Kosovës, ku janë kontrolluar dy laboratorë të analizave biokimike, të cilët dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Policia ka theksuar se “Hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale që mbështesin dyshimet fillestare”.

Ndërkaq, në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim.

“Gjatë operacionit të kontrollit në terren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, që kanë rezultuar me mbylljen e funksionimit të aktivitetit të këtyre laboratorëve. Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim. Po ashtu, dy persona ( pronarë të dy laboratorëve) janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente”, njofton Policia.

Tutje Policia ka bërë thirrje që qytetarët të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e shërbimeve shëndetësore dhe të raportojnë çdo dyshim për veprimtari të paligjshme pranë autoriteteve përkatëse.

“Të gjitha veprimet janë realizuar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Inkurajojmë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e shërbimeve shëndetësore dhe të raportojnë çdo dyshim për veprimtari të paligjshme pranë autoriteteve përkatëse”. /Gazeta Enigma/

Related Articles