29 nëntori i vitit 2023 tronditi të gjitha trojet shqiptare, Liridona Ademaj – Murseli, është vrarë në makinë para syve të fëmijëve të saj teksa po shkonte në shtëpi nga disa persona me porosi nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ky i fundit ishte bashkë me të kur ndodhi vrasja.
Policia e Kosovës menjëherë kishte arrestuar dorasin e vrasjes Granit Plava, dhe bashkëshortin e saj Naim Murselin, shkruan Gazeta Enigma.
Murseli kishte pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.
Pas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë, ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.
Katër të arrestuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, përmes deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori, kanë dhënë versionet e tyre për njohjen me njëri-tjetrin, planin për kryerjen e vrasjes, përfshirjen dhe veprimet e secilit, deri te premtimi për pagesën.
Më datën 15 janar të vitit 2025, është ngritur aktakuzë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, mbi vrasjen e Liridona Ademajt.
Prokurori Zejnullah Gashi, bëri të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj katër të dyshuarve: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plavës, Tom Dodajt
“Siç e dini, ky rast ka qenë shumë i ndjeshëm ,për ata edhe ka qenë një kufizim i tillë. Siç e dini ky rast fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve, prokurores, bashkëpunim të të gjithëve brenda një afati, shumë ishte e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar edhe ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë”, tha Gashi.
Në aktakuzë thuhet se vrasja e Liridona Ademajt ishte e planifikuar dhe e porositur Naim Murseli, i cili i kishte premtuar Ganit Plavës se do ta paguante 30 mijë euro që ta vriste Liridonën.
Sipas aktakuzës së ngritur, vrasja është kryer më 29 nëntor të vitit 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin Granit Plava ishte dakorduar me Naim Murselin, ku këta e kishin inskenuar që vrasja të duket si grabitje.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Granit Plava e ka qëlluar Liridona Ademajn me plumb në kokë.
Pjesëmarrës kanë qenë edhe familjarët e Liridonës, të cilët të cilët e mirëpritën gritjen e aktakuzës, ndërsa presin dënim kapital për të akuzuarit.
“Në emër të familjes ju falënderojmë të gjithëve, e falënderojmë edhe Prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam ne është që gjykata sa më shpejtë të vendos një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona sado pak dhe fëmijëve të saj”, u shpreh vëllau i Liridonës.
Ai theksoi se aktakuzën ende nuk e kanë pranuar dhe se nuk e dinë motivin e saj, ndërkohë që theksoi se vazhdojnë të takohen me fëmijët e Liridonës, të cilët tani e kanë kuptuar gjithçka.
“Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë çështje kujdeset shteti i Suedisë, ata e dinë më mirë sepse kanë psikologë, kanë njerëz adekuat që merren me këtë çështje, por çfarë shohim ne është se janë shumë të mërzitur”, tha tutje Ademaj./GazetaEnigma/