Në mesin e shumë grave që lufta e fundit në Kosovë u rrëmbeu më të çmuarat pjesë, është edhe e mbijetuara e dhunës seksuale që sot hap zemrën në studion e Debat Plus.
Një nënë që mbeti vetëm, me asgjë tjetër pos fëmijëve në krahë dhe momentin e fundit kur e pa bashkëshortin.
Nga tre fëmijë sa kishte, të voglin e kishte invalid e që i njëjti, një natë kishte pasur nevojë për mjek nga temperatura e lartë që kishte por ishte kohë lufte.
“Në ******* shumë ka qenë vështirë, do me thanë s’ke pas kah me shku se na jemi kanë midis serbëve do me thanë në midis jemi kanë na si minoritet kemi qenë, këndej kanë qenë populli shqiptar, këndej kanë qenë serbët, ne jemi kanë në mes, se nuk kemi pas kah me ja majt edhe u ktheva unë edhe njëherë, kur u ktheva, kur ma morën burrin mbeta vetëm më fëmijë. Prej dore ma morën serbët”.
Atë moment, e mbijetuara kishte mbetur e shtangur, pa folur me bashkëshortin i cili komunikimin e fundit e pati me ushtarët serbë.
E të nesërmen, asaj do t’i merreshin edhe fëmijët.
“ I tha ti je terrorist po gjuan në ne, ja bani burrit tem, ai tha unë nuk jam terrorist, tha unë jam me familje, qe tha ku e kam gruan e burri jem e ka pas këtë djalin e vogël në dorë, që e kam invalid edhe aty për aty e morën dhe më nuk e kam pa. Unë tani u ktheva prapë, kur u ktheva prapë, të nesërmen tani jam dal prej asaj shpisë atëherë mua me kanë nxanë ushtria serbe. Më kanë marr ushtria serbe, fëmijët m’i kanë marrë prej duarve, ku i kanë çu nuk e di, mua ata me kanë marrë edhe unë kam nejt tri net e tri ditë me ta”, rrëfen ajo.
Me asnjë afër vetes, e mbijetuara kishte mbetur në dorën e ushtarëve serb.