Për gjashtë muaj me radhë, katër komunat në veriun e Kosovës do të jenë pa kryetar. Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori.
Ata kishin dhënë dorëheqje si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe. Zgjidhjes së këtij problemi pretendohet t’i jepet fund në prill të vitit 2023, atëherë kur edhe do të mbahen zgjedhjet.
Tensionet në veri të Kosovës nisën të rriten qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim se nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.
Duke kundërshtuar këtë plan, i cili kishte nisur të zbatohej më një nëntor të vitit 2022, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve erdhi pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe të dielën e 6 nëntorit.
Pas këtij dorëzimi, erdhi edhe dorëzimi i mandateve nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.
Dorëzimi i mandatave ka ardhur dy ditë pas bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe. Më tej dorëzimi tjetër ka ardhur nga gjyqtarët serbë në Gjykatën Themelorë të Mitrovicës. Sikur Gjykata, edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka mbetur pa dhjetë prokurorë serbë.
Këshilli Prokurorial kishte njoftuar se dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ i këtij komuniteti.
Pos tyre, edhe kryetarët e komunave në veri të vendit, dhanë dorëheqje si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.
Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë pa kryetarë qysh nga pesë nëntori.
Pas dorëheqjes së kryetarëve, komunat, ligjërisht, duhet të shkonin në zgjedhje të parakohshme.
Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri.
Ajo kishte takuar përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.
“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, kishte theksuar ajo.